
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se SHBA ka konstatuar prova të përpjekjeve kineze për të "ndikuar dhe ndërhyrë në mënyrë të diskutueshme" në zgjedhjet e ardhshme në SHBA.
Në një intervistë për CNN, që erdhi në mbyllje të një turi triditor në Kinë, kryediplomati amerikan tha se: “Ne kemi parë, në përgjithësi, prova të përpjekjeve për të ndikuar dhe ndoshta ndërhyrë, dhe ne duam të sigurohemi që kjo të ndërpritet sa më shpejt që të jetë e mundur”.
"Çdo ndërhyrje nga Kina në zgjedhjet tona është diçka që ne po e shikojmë me shumë kujdes dhe është krejtësisht e papranueshme për ne, kështu që doja të sigurohesha që ata ta dëgjonin përsëri mesazhin tonë," tha Blinken.
Pekini ka thënë vazhdimisht se nuk ndërhyn në zgjedhjet amerikane, bazuar në parimin e tij të mosndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve të tjera.



