
Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, pati një bisedë telefonike 60-minutëshe me homologun e tij grek, Alexis Tsipras.
Zaev dhe Tsipras diskutuan çështjet e mbetura dhe morën në konsideratë disa ide për zgjidhje e çështjes së emrit. Është rënë dakord që në mëngjes do të ketë një bisedë tjetër telefonike tjetër.
Telefonatën mes Tsipras dhe Zaev e konfirmoi edhe qeveria greke.
“Kryeministri Alexis Tsipras pati një bisedë telefonike me kryeministrin e IRJM-së, Zoran Zaev, këtë pasdite në një klimë të mirë. Të dy kryeministrat ranë dakord të përfundonin bisedimet e tyre gjatë një bisede të re telefonike të martën në mëngjes", thuhet në reagimin e zyrës së Tsipras.
Nga ana tjetër, kryeministri Zaev ka deklaruar se shpreson se shumë shpejt do të arrihet zgjidhja për çështjen e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë, dhe se kjo do të mundet të ndodhë përpara Samitit të BE-së të caktuar më 28 dhe 29 qershor.
Zaev deklaroi se marrëveshja do të ishte fillimisht mes dy krerëve të qeverive, ministrave të Punëve të Jashtme, ndërkaq menjëherë pas kësaj do ta informojë edhe shefin e shtetit, shefin e opozitës, liderët e partive tjera politike dhe qytetarët.



