Një hetim i kryer nga Forcat Australiane të Mbrojtjes del në përfundimin se ka ‘prova të besueshme’ se ish-ushtarë elitarë të vendit apo edhe të tjerë ende në detyrë kanë kryer krime lufte në Afganistan.
Thuhet se 19 ushtarët elitarë, ose ish, kanë vrarë 39 afganë gjatë operacioneve të tyre në vitet 2009-2013. Në këtë përfundim Forcat Australiane të Mbrojtjes kanë dalë pas katër vitesh hetime.
Ky hetim është udhëhequr nga gjeneral major Paul Brereton pas zhvillimit të 400 intervistave. Ai gjeti prova të tilla si: ushtarë të rinj të cilët ‘detyroheshin’ të vrisnin të parët duke qëlluar të burgosurit, një praktikë e njohur si ‘gjakderdhja’. Pas ekzekutimeve ushtarët linin mbi trupat afganë armë për të mbuluar krimet, veprime tipike të cilësuara si ‘krime lufte’.
Për këtë hetim ka reaguar edhe Afganistani që ka deklaruar se ka marrë garanci nga Australia për të vendosur drejtësinë në vend.



