Dhjetëra familje libaneze që u kthyen në shtëpitë e tyre në Libanin jugor pas shpalljes së armëpushimit javën e kaluar ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut, kanë ikur sërish nga sulmet izraelite.
“I paketova gjërat e mia dhe fëmijët pasi erdhëm javën e kaluar në shtëpinë tonë pranë Tirit në Libanin jugor dhe u kthyem në shtëpinë që kisha marrë me qira në Malin Liban”, tha Haj Abu Mohammed për agjencinë gjermane të lajmeve DPA.
“Ne i mbijetuam luftës, por nuk dua të humbas fëmijët e mi. Ata u tmerruan mbrëmë kur dëgjuan përsëri bombardimin”, tha Abu Mohammed.
Izraeli nisi një seri sulmesh ajrore në Libanin jugor të hënën mbrëma, duke vrarë nëntë persona.
Sulmet u raportuan gjithashtu të martën, me rreth një duzinë të vrarë. Dronët izraelitë janë dëgjuar gjithashtu duke fluturuar mbi kryeqytetin Bejrut.
“Nuk na intereson kush i ka nisur shkeljet. Ne kujdesemi për të jetuar në paqe me familjet tona,” tha për DPA Fatima, e cila gjithashtu u kthye në veri të Libanit nga jugu i vendit.
Nuk ka ndërprerje në ciklin e përditshëm të vdekjeve, shkatërrimeve dhe shpërnguljeve në Gaza. Palestinezët thonë se çdo shpresë për një pauzë në sulmet izraelite pas armëpushimit në Liban po zbehet.



