Eksperti i sigurisë, Redion Qirjazi në një lidhje skype për edicionin e lajmeve në MCN TV tha që një spostim i popullsisë së Gazës do të krijonte një precedent të rrezikshëm, duke justifikuar veprime të ngjashme të Rusisë në Krime apo Luhansk. Sipas tij qëllimi i Trump-it s’është kërkimi i territoreve, por për t’i ardhur në ndihmë Izraelit. Duke komentuar lëvizjet e deritanishme të shefit të Shtëpisë së Bardhë Qirjazi mendon se Trump po përpiqet t’i tregojë botës kush është bosi dhe sa të varur janë nga fuqia amerikane.
“Nuk mendoj që SHBA-të janë në kërkim të territorit në veçanti në Lindjen e Mesme, ose okupimit të një territori aty, por mendoj që kjo ka të bëjë me strategjinë e përgjithshme të SHBA-ve për t’i ardhur në ndihmë Izraelit, që e shohin një aleat të përhershëm dhe ndihmues të interesave të SHBA-ve në Lindjen e Mesme dhe kjo është arsyeja primare pse kjo qasje mund të ndërmerret. Ndryshe nga deklaratat e tjera duhet marrë më seriozisht, por ka problematikat e veta si deklaratë. Ndonëse unë personalisht jam skeptik që një lëvizje e tillë do çonte në më shumë paqe, dhe do bëhej pa cenuar të drejtat e popullit palestinez në atë zonë.
Nuk mendoj që kemi të bëjmë me dëshirë për t’u zgjeruar aq më tepër në vende si Groenlanda, apo për një konflikt të menjëhershëm me Panamanë. Trump është duke i rikujtuar botës kush është bosi, si shumë vende në botë varen nga lidershipi amerikan dhe fuqia amerikane. Shumë analistë e interpretojnë si predatoriale, kur nëse je më i forti bën atë që do të bësh. Mendoj që eventualisht SHBA-të do rikthehen në politikën e përhershme të krijimit të aleancave globale dhe rendi botëror që varet nga partneriteti dhe bashkëpunimi, pasi ky ka qenë mekanizmi që e ka bërë vendin më me influencë në botë. Kundërshtari nr.1 për qeverinë Trump dhe Amerikën në përgjithësi s’janë aleatët dhe kostot në Kanalin e Panamasë, por është Kina.
Netanjahu u shpreh në konferencë që i duket si një ide e mirë, por Izraeli s’ka dalë në përgjigje zyrtare të mirëfilltë në lidhje me planin. Në terma afatgjatë ata e shohin si problem që hiqet nga duart e tyre. Prezenca e trupave amerikane në Rripin e Gazës do të bënte që terrorizmi ose aktet e dhunës të ishin nën kontroll, e dyta kjo mendohet se mund të çojë gradualisht në spostimin e një numri të madh të palestinezëve në Jordani dhe Egjipt. Ky ka qenë një propozim i radikalëve që është kundërshtuar nga Egjipit, Jordania, vendet e Ligës Arabe. Kjo sjell ujë në mullirin e Izraelit. Në terma afatagjatë, nëse do të ndodhte ky largim gradual, shumë analistë e vlerësojnë si një formë spastrimi etnik me fjalë të tjera. Do ketë shumë kundërshtira, jo vetëm me Kongresin dhe Senatin, por edhe organizata ndërkombëtare, Mbetet për t’u parë nëse do dominojë fuqia apo e drejta ndërkombëtare. Do vendoste precedent të rrezikshëm, ku edhe Rusisë do t’i jepte të drejtë të ndërhynte në Krime, Donietsku, Luhansuk, etj”.



