Avokati Indrit Sefa thotë se progres raportin më të mirë Kryeministrit Edi Rama, ia ka bërë SPAK.
Nga studio e “MCN Live”, ai komentoi konferencën e fundvitit të Kryeministrit duke deklaruar se sot ka ndodhur ekspozimi më i madh i skandaleve të korrupsionit.
Progres raportin Kryeministrit ia ka bërë shumë mirë SPAK. SPAK ia ka vënë para tavolinës, nuk ka nevojë të flasë fare, për cilësinë e qeverisjes së Kryeministrit. Edhe mos të dilte fare, qytetarët janë të qartë se si është qeverisja dhe se si janë qeverisur.
Qytetarëve duhet t’iu them çfarë është e vërteta. Sot kemi ekspozimin më të madh të skandaleve me korrupsion, në dritë të diellit, si pasojë e veprimtarisë së jashtëzakonshme të një organi drejtësie, i cili më në fund tregoi se si duhet të funksionojë një organ drejtësie i pavarur. Bashkëpunëtorët më të afërt të tij, sot janë në masa sigurie.
Tani po e kupton se çdo të thotë të mbash njerëzit në burgje, sot e cilëson si masë represive, ndërsa më parë thoshte futini në burg për ujë dhe për drita. Mua më shqetëson pse kur i afrohet njerëzve të tij, shqetësohet për qytetarët. Unë jam për një politikë penale të ndryshme dhe më në fund vetëm në 2025, parlamenti e kuptoi që ka nevojë për një politikë penale të ndryshme.
Unë jam pro amnistisë penale, por me kufizime. Nuk jam kundër amnistisë, jam pro, por jo kaq shpesh dhe jo çdo vit. Akoma nuk ka mbaruar efektet e para. Janë nëpër gjyqe njerëzit.
Lidhur me aksionin e opozitës, Sefa deklaroi se të gjithë aksionin opozitar e ka te SPAK-u.



