Policia e Shtetit, në zbatim të planit për mbrojtjen nga koronavirusi, ka mbyllur dhjetra njësi shërbimi.
Përmes një njoftimi zyrtar, dje në mbrëmje, mësohet se 215 patrulla policie në të gjithë vendin kanë nisur zbatimin e planit të masave për mbylljen e lokaleve, palestrave, bareve, diskove etj, me qëllim shmangien e përhapjes së koronavirusit.
Policia thekson se në të gjithë vendin janë mbyllur rreth 522 lokale dhe bare, 29 palestra, 65 bilardo, 21 disko e pub-e dhe 18 lokale me muzike live.
Njoftimi i policisë, thekson se do të vijojë të bashkëpunojë me Inspektoratin Shtetëror Shëndetësor dhe strukturat e tjera të Task Forcës dhe gjithë institucionet që i ngarkon ligji për këtë situatë.
“Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e pronarëve të lokaleve që të zbatojnë pa asnjë hezitim urdhrat e përcjella nga punonjësit e Policisë dhe të mos i kundërshtojnë ato, pasi moszbatimi i tyre do shoqërohet me penalitete ligjore”.



