
Gazetari i ekonomisë në MCN TV, Klodian Tomorri, e cilësoi të çalë krahasimin që kryeministri Rama bëri sot me vitin 2013, kohë kur sipas tij shqiptarët kishin dy herë më pak automjete. Në studion e lajmeve, Tomorri tha se kjo nuk është aspak tregues i rritjes ekonomike.
Krahasimi që bën kryeministri dhe zoti Gonxhe është i çalët. Krahasuar me vitin 2013, importi i automjeteve të reja është dyfishuar. Për 9 vjet nuk është një rritje e fortë, është një rritje e ngadaltë. 9 vjet për dyfishim nuk tregojnë një tendencë në rritje të ekonomisë. Ka disa shifra të tjera që e skanojnë më mirë se çfarë ka ndodhur me ekonominë.
Sipas Tomorrit, më shumë sesa numri i automjeteve, gjendjen reale të ekonomisë e shpjegon shifra minimale e rritjes për një vend si Shqipëria.
Për periudhën 2021, rritja mesatare ekonomike ka qenë diku te 2.1%, që përbën shifrën më të ulët. Një rritje e tillë për një ekonomi si Shqipëria, është stanjacion. Një rritje e tillë bën sens për ekonomi shumë të zhvilluara. Për vende si Shqipëria, të varfra, kjo është stanjacion. Ky është problem shumë i mprehtë për ekonominë shqiptare.



