Dy marokenë kishin sjellë me anije një foshnjë të porsalindur nga Maroku, duke e transportuar në një çantë pazari, me qëllim që ta shisnin në Itali.
Më 12 mars, policia e Torinos ekzekutoi një urdhër-arresti ndaj dy marokenëve, burrë e grua, nën hetim për futjen e paligjshme të një foshnje të porsalindur. Për të njëjtin rast, dy bashkatdhetarë të tjerë të tyre janë arrestuar për ndihmë personale për lehtësimin e qëndrimit të paligjshëm të të miturit në territorin kombëtar.
Veprimtaria e ndërlikuar hetimore nisi pasi në Prokurori mbërriti një denoncim se një familje marokene, banuese në Torino, kishte pritur për disa javë një vajzë të porsalindur, jo pjesë e familjes, me qëllim shitjen e saj tek të tretët.
Vogëlushja, e lindur në gusht 2024, mbërriti në Itali me gruan e çiftit tetorin e kaluar me një anije nga Tangier dhe u transportua pa u regjistruar në listën e pasagjerëve në një çantë pazari. Udhëtimi tejet i gjatë, i kishte krijuar disa probleme të miturës, aq sa me të mbërritur në qytet u dërgua nga gruaja në spital për t’u kontrolluar.
E porsalindura, nëna biologjike e të cilit po hetohet aktualisht, mësohet se i është dhënë nga kjo e fundit të dyshuarit, për t’u transportuar nga Maroku në Itali dhe me gjasë për t’ia shitur një familjeje të tretë.
Me të mbërritur në Itali, çifti, për t’iu shmangur hetimeve të mundshme, gjetën dy bashkatdhetarë, një burrë dhe një grua, të gatshëm për të mbajtur përkohësisht të miturën, ndërkohë që prisnin t’i gjenin një vendndodhje të përhershme.
Veprimtaria e ndërlikuar hetimore, ka lejuar të konstatohet se të dyshuarit kërkonin dikë që të ishte i gatshëm të kujdesej për fëmijën, të merrte kujdestarinë në këmbim të parave ose, në mënyrë alternative, nëse nga hetimet e mitura gjurmohej, ta transportonin jashtë vendit, para se të lokalizohej, për të garantuar mosndëshkimin në mënyrë që vogëlushja të mos gjendej kurrë.
Pas javësh hetime, më 12 mars u identifikua përfundimisht shtëpia e çiftit që po merrte përkohësisht të miturën. Fëmija, i cili dukej se ishte në gjendje të mirë shëndetësore, u dërgua në spital për kontrollet e nevojshme shëndetësore, ndërsa pritej të vendosej në një familje kujdestare.



