Ka përfunduar tashme orari zyrtar i votimeve në Gjermani.
E teksa pritet që të vijohet me procedurat e radhës, atë të numërimit të votave, exit poll-et tregojnë se Kristian-demokratët e qendrës së djathtë (CDU/CSU) kanë fituar përqindjen më të lartë të vendeve në Parlament, me afro 30%, raporton theGuardian.
SPD-ja e kancelarit aktual Olaf Scholz duket se ka shënuar një humbje historike në zgjedhjet e sotme. Nga exit-pollet e para, ajo del se ka marrë rreth 16% të votave.
Nëse rezultatet e sondazheve do të vërtetohen, Merz duket se do të jetë kancelari i ri i Gjermanisë, vendit me ekonominë më të madhe në Evropë.
Mirëpo, për të siguruar shumicën në parlament, atij do t’i duhet të krijojë koalicion me të paktën një parti tjetër, me shumë mundësi me Socialdemokratët (SPD) e kancelarit në shkuarje, Olaf Scholz.
Në vendin e dytë, me rreth 20% të votave, është AfD-ja, një parti ekstremiste e djathtë, duke dyfishuar rezultatin e saj të vitit 2021.
Rritja e AfD-së, parti kundër imigrimit, është rezultat i zemërimit publik rreth çështjeve të migrimit dhe sigurisë, pas një morie të sulmeve të kryera nga migrantët, dhe pas shqetësimeve për dobësim të ekonomisë.
Pavarësisht kësaj, AfD pritet të mbetet jashtë pushtetit, tani për tani, sepse të gjitha partitë tjera kanë refuzuar të bashkëpunojnë me të.
Ndërsa të Gjelbërit ruajnë në sondazhe një mbështetje të ngjashme me atë të vitit 2021. FDP-ja ka pësuar një rënie të ndjeshme dhe rrezikon të mos e kalojë pragun prej 5%.
Qeveria e fundit gjermane ishte e përbërë nga SPD, të Gjelbrit dhe FDP-ja, një koalicion trepartiak i qendrës së majtë, i lidhur në vitin 2021.



