Skenaristi Koloreto Cukali thotë se cenimi i trashëgimisë kulturore vjen pikë së pari si pasojë e mungesës së ndjeshmërisë. Gjatë një diskutimi në studio në lidhje me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe ndryshimet e reja në Kodin Penal, Cukali theksoi se nuk mjafton vetëm vullneti i shoqërisë civile, por duhet domosdoshmërisht vullnet politik.
Ai njeriu me miliona që do të ndërtojë në një zonë të mbrojtur, këta njerëzit me pak fonde që duan ta mbrojnë, i shtyp kollaj me buldozerin e vet. Ata duan të investojnë vazhdimisht në zona të mbrojtura. Kjo ka të bërë me një vullnet politik. Vullneti ynë nuk mjafton.
Ti duhet të kuptosh se nuk shkatërrohet zona arkeologjike për të krijuar një lokal ku piqet mish.
Është një përplasje mes një grupi njerëzish që kanë ndjeshmëri dhe disa të tjerëve që nuk kanë asnjë. Jemi në skajet e mbrojtjes së asaj që mund të mbrohet. Ne kemi muze, trashëgimi kulturore... Në Kinostudio ruheshin ende kapota të vërteta të ushtarëve gjermanë. Hajde gjeje sot. Kanë ngelur fare pak dhe puna është të mbrojmë atë që ka mbetur.
Unë nuk do të doja të mbuloja pjesën juridike. Më pëlqen Franca sepse është vendi me dënimet më të larta. Nuk ka vetëm trashëgiminë kulturore, por e ka më të gjerë. Është edhe vandalizmi.
P.sh., për zjarrin e Notre Dame vazhdon akoma hetimi. Problemi është jo vetëm dënimi ndaj abuzuesve që e përdorin për të bërë para. Ai fshatari që heq gurët e kalasë për të bërë ahurin e lopës. Për të gjitha këto situata duhen marrë masa. Nuk mund të shkosh për të bërë një koncert tëndin dhe të hapësh vrima për të ngritur skenën atje. Këto gjëra që janë me të vërtetë me vlerë për vendin dhe që duhej të ishin magneti i turizmit... Sajtet arkeologjike janë të braktisura. P.sh. tumat prehistorike pranë Korçës në kohën e Enverit ishin ruajtur dhe tani ishin ngrënë nga të tëra anët nga ata që bënin shtëpi. Nuk kishte asnjë politikë të qartë dhe ishte një nga tumat e rralla prehistorike në vend. Pra, e kemi pasur të sistemuar, thjesht nuk e kemi ruajtur. Jemi në këtë pikë pikërisht për shkak të mungesës së ndjeshmërisë.



