Bashkitë e qarkut të Vlorës janë të paafta për të menaxhuar siç duhet situatat nga zjarret. Kështu është shprehur në mbledhjen e Komisionit të Mbrojtjes Civile në Prefekturën e Vlorës, shefi i emergjencave Robert Skëndaj.
Sipas tij, ky vit ka shënuar më shumë dëme se viti i lënë pas dhe shkak është mungesa e shërbimit zjarrfikës. Ai i ka kërkuar drejtuesve të institucioneve vendore plotësimin e stafeve dhe kërkesat për të blerë mjete zjarrfikëse.
Theksi i tij në mbledhje është vënë edhe tek fusha e mbetjeve në lagjen 24 maji në Vlorë, e cila kërkon angazhim më të madh.
Te pranishëm në këtë mbledhje ishin drejtues te institucioneve si dhe përfaqësues të pushtetit vendor. Vlora ka qenë ndër qarqet më të prekura nga zjarre këtë vit, si rrjedhojë e të cilëve janë djegur banesa, biznese, toka bujqësore, kullota e pyje.



