
Pas tensioneve të orëve të fundit në Veri të Kosovës, Presidenti serb Aleksandar Vuçiç del me mesazh lidhur me serbët në Kosovë.
Vuçiç thotë se serbët në Kosovë janë detyruar që të ngrenë barrikadat dhe se për ta “nuk ka dhe nuk do të ketë dorëzim”.
Mesazhi për të gjithë të tjerët është që të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, të respektohen të drejtat dhe liritë e serbëve dhe të sillen në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara dhe të drejtën ndërkombëtare, sepse kjo është mënyra e vetme për të filluar normalizimin e marrëdhënieve.
Me anë të një mesazhi në rrjetet sociale, ai deklaroi se autoritetet në Serbi do të vazhdojnë luftën për paqe me të gjitha mjetet ligjore.
Tensionet në Veri të Kosovës nisën kur pala serbe përdori makineri të rënda duke krijuar barrikada, të cilat raportohet të jenë shtuar gjatë natës. Po ashtu forcat serbe kanë ngritur edhe çadra për të qëndruar dhe bllokuar rrugët.
Situata u agravua pasi gjatë së shtunës u arrestua ish-zyrtari i Policisë së Kosovës, Dejan Pantiç, ku siç njoftoi ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, prangosja erdhi nën dyshimin se ka organizuar “sulmin terrorist në zyrat e KQZ-së në veri të vendit”.
Gjatë pasdites së të shtunës, Policia e Kosovës njoftoi se ka mbyllur për qarkullim pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë.
Policia tha se kjo është një masë paraprake e sigurisë, pasi serbët lokalë bllokuan disa rrugë në Veri, si shenjë pakënaqësie për arrestimin e Pantiç.



