
Një nga lajmet që po qëndron në qendër të vëmendjes gjatë ditëve të fundit në vendin tonë, është mbyllja e shkollës “Mehmet Akif”. Për këtë vendim, kryeministri Edi Rama u pyet në mbledhjen e Kryesisë, nëse ishte bërë me kërkesë të presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan.
Rama: Jo. Merrni dhe shikoni dokumentacionin. Po të ishte kjo një çështje politike, dhe po të ishte një mbyllje e natyrës politike pse do merreshim ne me një kolegj vajzash? Kur ndërkohë janë plot struktura të tjera që janë atje dhe as nuk i ka ngacmuar askush. Për çfarë arsye? Arsyeja është shumë e thjeshtë, siç kemi vepruar për çdo subjekt dhe këtë mund ta investigoni me Ministrinë e Arsimit. Nuk është hera e parë që i heq licencën një institucioni arsimor dhe nuk keni bërë asnjë zhurmë për raste të tjera. Do të ishte shkelje e Ministrisë nëse nuk do të vepronte, sepse ky aktivitet është spostuar në një vend tjetër, pasi godina është shitur dhe spostimi është bërë pa marrë asnjë miratim. Nuk ekziston në legjislacionin e republikës së Shqipërisë që ti të nisesh me një licencë që e ke për të zhvilluar aktivitetin këtu dhe të shkosh ta bësh në një vend tjetër, minimalisht pa marrë leje. Kjo është shumë e thjeshtë dhe këtë ka vërtetuar edhe vendimi i djeshëm i gjykatës.
Gjithashtu, Rama shtoi më tej se atij nuk i bën askush presion për marrje vendimeh, qoftë këtu apo jashtë.
Rama: Mua nuk më bën presion askush, asnjë lloj politikani, apo përfaqësuesi i asnjë shteti, në asnjë lloj forme, këtu apo jashtë, sepse unë jam kryeministri që më kanë zgjedhur shqiptarët. Mua nuk më kanë zgjedhur as amerikanët, as turqit, as francezët, as gjermanët, as anglezët, as italianët, me gjithë respektin që kam për ta. Unë këtu mund të bëj gabime, por janë gabime të cilat nuk vijnë nga qëllimi i keq, por vijnë nga një gjykim që mund të mos jetë i duhuri për atë gjë, ama vendimet janë të gjitha në interes të shqiptarëve dhe të publikut.



