
Fshati Obot është plotësisht i përmbytur si pasojë e shkarkimeve nga tre hidrocentralet në kaskadën e Drinit.
Niveli i ujit në zonë ka kaluar 1 metër, ndërsa lëvizja dhe transporti i banorëve po kryhen me vështirësi.
Lajmin e bën të ditur për “MCN Live” korrespondentja Bendis Druni, e cila raporton se situata mbetet problematike, megjithëse në orët e fundit është konstatuar një rënie e lehtë e nivelit të ujit.
Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytjen e rreth 800 hektarëve tokë bujqësore në qarkun e Shkodrës. Sipërfaqet e prekura përfshijnë kryesisht kultura foragjere, grurë, jonxhë, toka të pambjella dhe kullota.
Në zonën e Obotit, aksi rrugor që lidh fshatin me rrugën kryesore paraqet ende prezencë uji rreth 100 cm, nga 110 cm që ishte një ditë më parë, duke shënuar një ulje prej rreth 10 cm. Ky aks vijon të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga autoritetet përgjegjëse.
Në Obot raportohen banesa me prezencë uji në oborre, ndërsa deri në këto momente nuk ka njoftime për depërtim të ujit në brendësi të banesave.
Gjatë orëve të fundit, sipërfaqja e përmbytur është rritur ndjeshëm, duke bërë që niveli i ujit të shkojë mbi 1 metër në Obot.
Transporti i banorëve nga qendra e fshatit drejt rrugës kryesore realizohet vetëm nga Forcat e Armatosura, me varka dhe më pas me kamionë ushtrie.
Vijon angazhimi i Forcave Tokësore në Obot, për lehtësimin e lëvizjes dhe asistencën për familjet e prekura, përfshirë furnizimin me ujë të pijshëm dhe pako ushqimore. Ndërhyrjet po kryhen në koordinim të plotë me strukturat e Mbrojtjes Civile dhe ekipet e emergjencave civile të Bashkisë Shkodër.



