Deputeti i PD, Gent Strazimiri, i ftuar në MCN Live, tha se udhëtimi i kreut të PD, Sali Berisha në SHBA lidhet me agjendë politike dhe jo personale. Sipas tij Berisha ka marrë ftesë nga ombrella e partive të qendrës së djathtë në botë dhe këtë udhëtim ai po e shfrytëzon edhe për t'u takuar me diasporën shqiptare në SHBA.
Sipas Strazimirit, nongrata e Berishës lidhej me ndikimin e Soros në Shtëpinë e Bardhë dhe vetëkorrigjimi i SHBA ishte diçka e pritshme për demokratët.
“Zyrtarisht Berisha shkel në tokën amerikane. Institucionet amerikane ishin të mbërthyera nga ndikimi i Soros në Shtëpinë e Bardhë dhe dukshëm u shfrytëzuan punonjës tashmë të shkarkuar si McGonigal. E rëndësishme është demokratët besuan që SHBA mund të vetëkorrigjohet pasi kuptuan që kjo administratë ka targetuar liderët më të mirë dhe miqtë më të mirë të SHBA.
Berisha nuk ka qenë kurrë nongrata, sepse s’ka qenë një diplomat rezident në SHBA. Ai thjesht nuk mund të merrte vizën amerikane.
Ne e konsiderojmë vitale interesin e SHBA në Shqipëri sepse është në interesin më të mirë të vendit që marrëdhënia mes dy vendeve të jetë sa më e mirë.
Protesta në SHBA kundër Berishës, s’ishte protestë, por ishte disa individë që bërtisnin “Berisha në burg” dhe te mikrofoni ishte një foto e printuar e grushtit komunist. Në atë sallë të mbushur plotë, jashtë ishin tre persona që protestonin dhe kjo ishte qesharake.
Berisha kishte një ftesë zyrtare nga IDU, ombrella më e rëndësishme e partive të qendrës së djathtë në botë. Ai mori ftesë për takimin në Texas dhe në këtë sens shkuarja e tij në SHBA nuk lidhet me ndonjë recetë mjeku. Ajo është një agjendë politike.”



