
Këshilli i Ministrave ka miratuar disa ndryshime në kuadrin ligjor financiar, që lidhen me shërbimet e pagesave, sistemin e pagesave dhe ligjin për bankat në Republikën e Shqipërisë.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, pas mbledhjes së qeverisë bëri të ditur se tre projektligjet e miratuara synojnë modernizimin e mëtejshëm të sistemit financiar shqiptar dhe përafrimin e legjislacionit vendas me direktivat e Bashkimit Evropian.
Sipas Malajt, ndryshimet do të sjellin përfitime konkrete për qytetarët dhe bizneset, duke synuar uljen e kostove të transaksioneve financiare, rritjen e sigurisë dhe efikasitetit të pagesave, forcimin e mbrojtjes së konsumatorëve dhe nxitjen e konkurrencës në tregun financiar.
“Kemi propozuar ndryshime për ligjin e sistemit të pagesave, ligjin për shërbimet e pagesave dhe ndryshime për ligjin për bankat. Këto ndryshime kanë si qëllim modernizimin e sistemit aktual dhe përafrimin e kuadrit ligjor me Bashkimin Evropian. Ato i shërbejnë gjithashtu procesit të negociatave për kapitullin që lidhet me lëvizjen e lirë të kapitalit”, deklaroi ministri Malaj.
Ai shtoi se kuadri i ri ligjor do të përmirësojë funksionimin e tregut financiar dhe do të krijojë më shumë mundësi për shërbime më të sigurta dhe më efikase për përdoruesit.
Në mbledhjen e qeverisë u diskutuan gjithashtu marrëveshjet për njohjen e periudhave të sigurimit shoqëror për shqiptarët që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se pas marrëveshjes së nënshkruar me Italinë, qeveria po negocion edhe katër marrëveshje të reja për pensionet, të cilat pritet të paraqiten së shpejti për miratim.
Këshilli i Ministrave miratoi sot në parim marrëveshjen për sigurimet shoqërore me Republikën e Sllovenisë.
Sipas saj, një prej marrëveshjeve të reja lidhet me Poloninë, ku vitet e kontributeve të sigurimeve shoqërore do të njihen për qytetarët që kanë punuar në të dyja vendet.
“Ka qenë një problem i mbartur ndër vite. Pas marrëveshjes me Italinë, po vijojmë me katër marrëveshje të tjera për pensionet, të cilat shumë shpejt do t’i sjellim në Këshillin e Ministrave për firmosje. Marrëveshja me Poloninë e çon në 17 numrin e marrëveshjeve të nënshkruara për sigurimet shoqërore”, u shpreh Ibrahimaj.
Ajo theksoi se këto marrëveshje janë të rëndësishme për mbrojtjen e të drejtave të punës dhe për garantimin e përfitimeve të qytetarëve që kanë kontribuar në skemat e sigurimeve shoqërore në Shqipëri dhe jashtë saj.



