Ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo analizoi në edicionin e lajmeve në MCN TV konfliktin në Izrael, duke theksuar se ka gjasa që ai të zgjerohet si në një “lojë domino” në të gjithë rajonin, duke përfshirë edhe vende të tjera arabe.
Milo thotë se Moskës i intereson një konflikt i tillë sepse shpërqendron vëmendjen dhe mbështetjen e Perëndimit për Ukrainën.
Duke u ndalur në rrafshin e supozimeve, Milo thotë se mund të ketë pasur një koordinim me Iranin për nxitjen e konfliktit në Izrael.
Po ashtu ai tha se konflikti Izrael-Palestinë do të reflektonte edhe në Ballkan, sepse “lidhjet janë të shumëfishta, dhe fijet nuk janë gjithmonë të dukshme”.
Janë të gjitha gjasat që konflikti që shpërtheu të shtunën në Izrael të mund të zgjerohet sepse ka efektet e lojës domino. Atje ku ka popullsi të cilat kanë vite të tëra që janë kundërshtare me njëra-tjetrën për arsye historike, fetare, politike. Tani mjafton një shkëndijë dhe këto mund të rigjallërohen dhe mund të marrim impulse të reja të më të rrezikshme se më parë Kanë filluar segmente të popullsisë palestineze, të organizatave të cilësuara terroriste që të mund të veprojnë dhe të aktivizohen nga drejtime të ndryshme kundër Izraelit. Janë të gjitha gjasat që të përfshihen edhe popuj të të tjerë arabë, të Lidhjes Arabe, që kanë shprehur një lloj solidariteti me palestinezën, ndërkohë që në mbështetje me Izraelin ndodhen SHBA-të, një numër i madh vendesh, që vlerësojnë se në këtë rast Izraeli ishte viktimë e një sulmi terrorist.
Janë këto momentet e vështira të goditjeve të para, të befasishme, që mund të shkaktojnë kaos, mungesë përqendrimi dhe situata të vështira. Për mua më e rrezikshme situata është nëse do angazhohen forca jashtë konfliktit, siç mund të jenë vendet arabe fqinje. Një rol në prapaskenë ka Irani, që ka mbështetur Hamasin dhe Hezbollaun, dhe të gjitha lëvizjet terroristet që aktivizohen nga një mbështetje e jashtme, kryesisht nga Irani, me armatime të mëdha”.
I pyetur mbi rolin e mundshëm të Moskës në konflikt, Milo thotë:
Jemi në fushën e supozimeve. Gjykuar nga pikëpamja strategjike, që kujt i intereson një vatër e re konflikti, aq më tepër në Lindjen e Mesme, kjo padyshim do ishte Rusia. E para ka interes të shpërqendrohet vëmendja e SHBA-ve dhe vendeve perëndimore në mbështetje të Ukrainës, duke hapur një vatër të re lufte në një zonë më delikate. Le të supozojmë që nëse u është dhënë mundësia edhe mund të kenë kontribuar për ta kryer me dorën e të tjerëve. Irani pse jo mund të supozohet që ka koordinim të veprimeve për të nxitur një konflikt, dhe për të lehtësuar barrën e rëndë që ka Rusia për të përballuar rezistencën e Ukrainës dhe mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar.
Izraeli me këtë goditje që kanë marrë, e kanë ndjerë thellë, se rreziku për Izraelin vazhdon ende edhe sot kësaj ditë të jetë shumë i madh nga qarqet ekstremiste palestineze, dhe qarqet rajonale. Nëse do ketë veprime të Izraelit që do shkaktonin dëme të mëdha në njerëz, edhe në të pafajshëm. Unë mendoj që do të ketë përpjekje të komunitetit ndërkombëtar që të ndërhyjë, që t’i japë fund konfliktit, sepse një konflikt i zgjatur është në radhë të parë në dëm të paqes së rajonit vetë, në përmasa të tilla në rast se do lejohet, do gëlltisë edhe fuqi të tjera rreth e rrotull rajonit. Në Lindjen e Mesme mpleksen interesa të mëdha strategjike, ekonomike, e me radhë. Është kollaj të nxisësh konfliktin në Lindjen e Mesme, por është shumë e vështirë ta kthesh në normalitet”.
I pyetur nëse rezonon konflikti Izrael-Palestinë në rajonin e Ballkanit, ish-ministri i Jashtëm shprehet:
Ne nuk jemi larg Izraelit gjeografikisht po ta marrim, sepse edhe Izraeli është vend Mesdhetar, në Mesdheun Lindor, na lag i njëjti det i Mesdheut. E keqja rezonon më shpejt përkundrejt të mirës. Nuk diskutohet që një konflikt i zgjeruar në Lindjen e Mesme do të prekte edhe sigurinë në Mesdheun Lindor, dhe do reflektonte patjetër edhe në Ballkan, sepse lidhjet janë të shumëfishta, dhe fijet nuk janë gjithmonë të dukshme. Do ta dëmtonte Ballkanin Perëndimor, për shkak se do rezononte përmes influencave politike dhe ekonomike, por mbi të gjitha do të bënte që të bashkoheshin dy konflikte, një aktual në Lindjen e Mesme dhe një potencialisht i mundshëm në Ballkanin Perëndimor, dhe këto konflikte ushqejnë njëri tjetrin, sepse politikanet bëjnë që këto dy konflikte të mos kenë lidhje organike mes tyre, nxiten. Rusia është shumë e interesuar në largimin e vëmendjes nga Ukraina dhe të hapë fronte të reja lufte qoftë edhe në Ballkanin Perëndimor, qoftë duke nxitur qarqe ekstremiste. Rusia është shumë e interesuar që të ketë një konflikt në Lindjen e Mesme, sikurse është edhe Irani i interesuar. Është interesante të shihet çfarë qëndrimi do mbajë Turqia në raport me konfliktin. Tani Turqia është vënë në pozitë të vështirë, që nga njëra anë është vend mysliman, duhet të dëshmojë solidaritetin, por me kë do të solidarizohet, me Hamasin, nuk besoj, me Hezbollahun, nuk besoj, mund të shfaqë solidaritet me kauzën palestineze në përgjithësi, por është në pozitë delikate. Duke u hapur një front lufte në Lindjen e Mesme mund të përplasen interesat e fuqive rajonale. Arabia Saudite ishte drejt njohjes së Izraelit si shtet. Ka komente që sulmi i Hamasit ishte i nxitur nga Irani për të penguar njohjen nga Arabia Saudite të Izraelit”.



