Shtatë punonjës të policisë së Peqinit janë pezulluar nga detyra pas konstatimit të shkeljeve të rënda në ushtrimin e funksioneve të tyre, në lidhje me një rast të kultivimit të bimëve narkotike në dy ambiente të mbyllura në fshatin Kurtaj, në Peqin, duke mos ndërhyrë.
Ky rast u zbulua më datë 19 mars dhe ngriti dyshime serioze për mosveprim dhe neglizhencë nga ana e strukturave vendore të policisë.
Drejtoria e Standardeve Profesionale filloi hetim disiplinor, në zbatim të të ligjit “Për Policinë e Shtetit”, “Moszbatim haptazi i dispozitave ligjore për përmbushjen e detyrave funksionale”, për punonjësit e Policisë:
-Komisar Altin Gusho, me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Peqin;
-Komisar Danjel Kaçaniku, me detyrë Shef i Krimeve në Volum, në Komisariatin e Policisë Peqin;
-Nënkomisar Sefer Dushku, me detyrë Specialist i Policisë Kriminale, në Komisariatin e Policisë Peqin;
-Inspektor Muharrem Zylufi, me detyrë Specialist i Policimit në Komunitet, në Komisariatin e Policisë Peqin;
-Nënkomisar Bilbil Lita, ish-shef i Komisariatit të Policisë Peqin, aktualisht me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Devoll;
-Komisar Denis Sinani, ish-shef i Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Peqin, aktualisht me detyrë Shef i Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Devoll;
Inspektor Arben Koseni, ish-ndihmësspecialist për Policinë Kriminale (agjent) në Komisariatin e Policisë Peqin, aktualisht me detyrë trupë shërbimi në Njësinë e Pritjes dhe Sigurisë në Gjadër.
Për këta punonjës, për mangësi të konstatuara gjatë përmbushjes së detyrës, bazuar në nenin 163, pika 3, germa “a”, e rregullores së Policisë së Shtetit, miratuar me VKM nr. 112, datë 24.02.2025, u bë pezullimi disiplinor nga detyra.
Masat u bënë prezente nga vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, gjatë paradites së sotme, në një mbledhje të zhvilluar në DPPSH, me gjithë drejtorët vendorë dhe ata të Kufirit.
Hita u ka kërkuar prerë të gjithë drejtorëve masa të menjëhershme për të luftuar kultivimin e kanabisit, si dhe qëndrim të rreptë për cilindo punonjës policie që bëhet palë apo nuk përmbush detyrën.



