
Greqia nuk ndryshon qëndrim për Kosovën, sa i takon njohjes së saj, por mbështet dialogun Prishtinë-Beograd.
Është kjo deklarata e bërë nga Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, gjatë takimit me Presidentin serb, Aleksander Vuçiç, në vizitën e tij në Beograd.
Kreu i qeverisë helene shprehet se mbështet dialogun Kosovë-Serbi, pasi dëshiron normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Ne nuk kemi parë ndonjë përparim në muajt e fundit, por di që Vuçiç është zotuar të vazhdojë negociatat, në mënyrë që të zgjidhet ky problem në mënyrë të drejtë”, tha Mitsotakis.
Me këtë deklaratë zbehen zërat, për një njohje të mundshme të Greqisë ndaj Kosovës.
Aktualisht nga vendet e Bashkimit Europian, që nuk e kanë njohur ende Kosovën si shtet të pavarur, përveç Greqisë, janë Spanja, Qipro, Rumania dhe Sllovakia.



