KPA rikthen në detyrë kryetarin e Gjykatës së Apelit në Shkodër, Fuat Vjerdha. Pasi KPK vendosi shkarkimin e tij për mospërmbushjen e kritereve të vetingut, organi i apelimit e ka hedhur poshtë këtë vendim, duke i dhënë mundësinë Vjerdhës të rikthehet në detyrë.
Kjo është hera e parë që Kolegji i Posaçëm i Apelimit i jep të drejtë subjektit të rivlerësimit.
Fuat Vjerdha u përball me shkallën e parë të vetingut më 6 maj dhe më 7 qershor. Gjatë vlerësimit të pasurisë, KPK konstatoi probleme të vogla me deklarimin e pasurisë dhe mungesë burimesh të ligjshme prej 1.6 milionë lekësh. Rihapja e hetimeve për kriterin profesional e rëndoi pozitën e Vjerdhës, pasi KPK mori në shqyrtim lehtësimin e akuzave për Sokol Mjacajn në vitin 2010 dhe dy denoncime nga publiku. Relatori i çështjes theksoi se Apeli e kishte ndryshuar dënimin e Mjacajt nga 10 vjet burg që kishte vendosur shkalla e parë, në 4 vjet heqje lirie. Pak kohë pasi ky shtetas doli nga burgu, ai ekzekutoi dy turistë çekë në Prekal të Dukagjinit.
Fuat Vjerdha është një prej anëtarëve që votoi kundër vendimit për gjykim të shkurtuar ndaj Dritan Dajtit.



