Shpallet në kërkim Rexhep Rraja, djali i deputetit socialist Rraham Rraja, i dyshuar si një nga autorët e dhunës ndaj dy kushërinjve Bilbil dhe Jashar Maja. Policia njoftoi se në vazhdim të veprimeve hetimore në lidhje me ngjarjen e ndodhur me datë 06.07.2023, ku në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë, një grup personash kanë goditur me sende të forta shtetasit Bilbil Maja, dhe Jashar Maja, Policia e Shtetit ka ndaluar 4 persona dhe ka shpallur në kërkim 3 të tjerë. Në vijim të veprimeve hetimore është identifikuar dhe shtetasi Rexhep Rraja, për të cilin janë dërguar materialet pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Shtetasi Rexhep Rraja, është shpallur në kërkim policor dhe vijon puna nga shërbimet e Policisë, për lokalizimin dhe kapjen e tij. Vazhdon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje. Shkak për sherrin është bërë një gurore në fshatin Borizanë, në pronësi të Përparim Rrajës, kuëshëririt të deputetit Rrahman Rraja. Bilbil e Jashar Maja ishin ankuar se shpërthimet gjatë punimeve në gurore, krijojnë shqetësime në banesat e tyre.



