Numri i refugjatëve në ishullin italian Lampedusa është trefishuar në krahasim me vitin e kaluar. Së fundmi në ishull mbërritën më shumë se 2000 njerëz brenda 24 orëve. Këtë e raportoi agjencia e lajmeve dhe e shtypit Ansa. Ndërkohë pritet të mbërrijnë anije të tjera me refugjatë. Gjatë natës anijet e patrullimit morën qindra njerëz nga gomone ose varka të vogla prej druri dhe i sollën në breg. Numri i personave të regjistruar nga zbarkimet arriti deri në 2128.
Sipas të dhënave nga Organizata e Kombeve të Bashkuara këtë vit ndërruan jetë më shumë se 500 refugjatë ne Mesdheun qendror. Javët e mëparshme anijet private të shpëtimit, panë që një numër i madh anijesh me refugjatë po ndërmerrte udhëtimin e rrezikshëm drejt Evropës. Një arsye për shtimin e anijeve me refugjatë në këtë periudhë është moti i mirë i majit dhe deti i qetë.
Sipas Ministrisë së Brendshme të Romës një total prej rreth 12.900 refugjatësh ka ardhur në Itali që prej fillimit të vitit. Vitin e kaluar në të njëjtën periudhë ishin vetëm 4180. Shumë prej refugjateve vijnë nga Tunizia, Bregu i Fildishtë dhe nga Bangladeshi.
Qeveria italiane përpiqet, që t'i shpërndajë refugjatët sa më shpejt drejt shteteve të tjera të Bashkimit Evropian, por shumë prej tyre refuzojnë t’i pranojnë.
Anijet private të shpëtimit vazhdojnë të pengohen. Anija e shpëtimit “Sea-Watch 4” mund të mbetet e bllokuar në portin e qytetit sicilian Trapani. Anija vullnetare e shpëtimit shpëtoi më shumë se 450 refugjatë javën e kaluar . Aktualisht ekuipazhi i anijes është në karantinim 14-ditor, por mbetet ende e paqartë nëse anija do të mund të dalë sërish në det./ Tagesschau



