Deputeti Fatmir Mediu ngre shqetësim për faktin që sipas tij, qeveria shqiptare po e kalon në heshtje 15-vjetorin e anëtarësimit në NATO.
Duke folur për MCN Live, lidhur me tryezën e mbajtur një ditë më parë për këtë përvjetor, Mediu tha se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, e bën Shqipërinë, pjesë të aleancës më të fuqishme në botë.
Nga ana tjetër ai ngre shqetësime për situatën në rajon, duke thënë se aktualisht jemi në luftë me Rusinë.
Mediu deklaron se të qenit pjesë e NATO-s, krijon premisa më të mira për angazhimin e shqiptarëve në rajonin e Ballkanit, për shkak të dimensionit politik dhe të drejtës së vetos që kemi, për të vendosur për çështje të rëndësishme për interesin në rajon, në mënyrë të veçantë për Kosovën.
Gjithmonë do kemi veprime siç po bën Serbia dhe përballë situatave të tilla Shqipëria duhet të marrë një pozicion të qartë.
Deri tani Shqipëria ka pasur një aks orientimi politik dhe ekonomik me Serbinë, duke treguar se ne mund të merremi vesh me ta, veç me kokëfortët e Kosovës jo, por kjo është e dëmshme për Kosovën.
Ideja e krijimit të një Serbie të madhe, bie ndesh me interesat shqiptare.
U takon vendeve anëtare të Ballkanit për të përcaktuar se cilat janë rreziqet reale që i kanosen Ballkanit.
Jo vetëm duhet të rrisim buxhetet, por edhe mënyra se si i menaxhojmë ato.
Çdo rrezik i mundshëm nuk do na vijë nga Rusia, por nga Serbia, po të shikosh dhe investimet që po bën në fushën e mbrojtjes.
Pa diskutim që bashkëpunimi ekonomik duket i mirë, por ka dhe një sfond nga mbas. Duhet të kemi disa filtra dhe në politikat që duhet të bëjmë.
Duhet të frenojmë zgjerimin e influencave të Rusisë apo Kinës. Ne jemi në luftë me Rusinë.
Edhe iniciativa e fundit e dezinformimit që është marrë në parlament, duhet parë më me kujdes.
Lufta nuk është vetëm ushtri dhe mbrojtje, por është inteligjencë. Ky është një moment që ka nevojë për një analizë të thellë.
Shqipëria ka nevojë për një strukturë permanente që bën analizën e çështjeve të sigurisë.
Çështjet e sigurisë nuk janë atribut vetëm i qeverisë, por i një nukli që merret me strategjinë e sigurisë kombëtare.
Sa i takon Forcave të Armatosura, Mediu u shpreh se shpesh i shikojmë për ti përdorur për propagandën politike, por tha se ato janë struktura të domosdoshme për një vend anëtar të NATO-s.
Duhen investime substanciale, jo 2% por më shumë se 2%. Ne duhet të kemi mundësi të investojmë jo vetëm në blerjen e mjeteve, por edhe në mirëmbajtje.
Ne mund të sjellim edhe një ekonomi ushtarake e cila do ndihmonte ekonominë e vendeve, nëse do punojmë në mënyrë të përbashkët.
Duhet një logjikë tjetër reflektimi në konceptin e Forcave të Armatosura. Ka nevojë për t’i mbështetur Forcat e Armatosura në çdo nevojë që kanë.
Nuk duhet marrë i mirëqenë artikulli 5 i NATO-s. Absolutisht ne duhet të ndërtojmë strukturën tonë të mbrojtjes.
Ne duhet të jemi pjesë e NATO-s jo vetëm për të përfituar, por edhe për të kontribuar.



