Gjykata e Posaçme mbajti sot seancën për inceneratorin e Elbasanit, ku vijoi mbrojtja e të pandehurit. Në përfundim gjykata ka vendosur që vendimin ta shtyjë për datën 5 tetor.
Kujtojmë që organi i akuzës ka kërkuar më herët 10 vite burg për ish-ministrin Lefter Koka dhe për ish-sekretarin e Ministrisë së Mjedisit Bllako 4 vite burg, me 2 vite e 8 muaj me gjykim të shkurtuar.
Gazetari Arsen Rusta në një raportim për MCN Live bën me dije se:
“Më 5 shtator do të jepet vendimi për inceneratorin e Fierit, më 5 tetor është lënë vendimi për inceneratorin e Elbasanit. Se farë do të vendosë gjykata për inceneratorin e Fierit, automatikisht do të jetë edhe për inceneratorin e Elbasanit. Sepse janë të njëjtat subjekte, të njëjtat fakte penale, e njëjta procedurë hetimore. Avokatët e AlbTek kanë kërkuar që për inceneratorin e Elbasanit duhet të shpallet i pavlefshëm hetimi, pasi kompania AlbTek është hetuar dhe gjykuar njëherë nga Prokuroria dhe Gjykata e Elbasanit. Kjo kërkesë u rrëzua, po ashtu rrëzua kërkesa për lirimin e ish-ministrit Lefter Koka që paraqiti në seancë një raport mjekësor për gjendjen e tij jo të mirë shëndetësore, ndërsa ndodhet prej muajsh në qelitë e paraburgimit të Durrësit.
Koka tha se s’ka asnjë lidhje me aferën e inceneratorëve, ai ka zbatuar vetëm procedurën, ka qenë qeveria ajo që e ka miratuar. Ai thotë se të gjithë pasurinë që doni të më konfiskoni ka vlerë më të madhe se sa afera korrupsionit që SPAK pretendon se është abuzuar. Ai thotë se kjo pasuri është vënë para se të ishte ministër dhe para nisjes së koncesionit të inceneratorit, apo qoftë të aferës sië thotë SPAK. SPAK thotë se të ardhurat e përfituara në formë korrupsioni janë kthyer në asete nga familja Koka”.



