Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vendosur sekuestron mbi pasuritë e paluajtshme me vlerë 3 milionë euro të një personi që dyshohet se është marrë me trafik të lëndëve narkotike në Zvicër.
Sipas Prokurorisë, pronat i përkasin shtetasit Fatmir Muçaj.
Gjatë gjykimit të rastit, Prokuroria ka argumentuar se pasuritë e paluajtshme janë krijuar nga burime financare të paligjshme, të krijuara nga Fatmir Muçaj, gjatë aktivitetit kriminal në fushën e narkotikëve në mesin e viteve ’90”.
Pronat e sekuestruara:
-4 parcela “tokë arë” në Sauk, Tiranë, me sip.totale 14.600 m2
-2 parcela “tokë arë” në Gjirin e Lalëzit, Durrës, me sip.totale 2250 m2
-4 parcela “tokë arë” në Marikaj, Durrës, me sip.totale 4000 m2
-2 apartamente në Tiranë, (në zonën e ish-“21 Dhjetorit” dhe rr.Muhamet Gjollesha”), me sip.totale 165 m2
-2 dyqane në zonën e Yzberishtit, Tiranë, me sip.totale 140 m2
Trafiku i heroinës– Hetimet nisën vitin e shkuar pas referimit nga ana e policisë. “Sipas hetimeve të kryera, ka rezultuar se shtetasi Fatmir Mucaj, lindur ne Berat dhe banues në Tirane është marrë me trafik të lëndëve narkotike të llojit heroinë dhe për këtë aktivitet ai është proceduar nga autoritetet gjyqësore zvicerane”, sqaron prokuroria
Sipas Prokurorisë, pronat që zotëron Fatmir Muçaj dhe familjarë të tij, Ervehe Muçaj dhe Liljana Thomai nuk justifikohen nga të ardhurat e tyre.
Dëmshpërblimi për syrin- Prokuroria sqaron gjithashtu se shtetasi Fatmir Muçaj ka pretenduar se pronat i ka blerë nga të ardhurat si emigrant në Greqi. Ai ka pretenduar se ka pasur një incident në sy, për të cilin është kompensuar me 30 milionë dhrahmi.
Sipas tij, ky dëmshpërblim mjekësor ka shërbyer si bazë fillestare financiare për krijimin e pasurive të paluajtshme ndër vite.



