35 vjet më parë çdo hallkë e ekonomisë shqiptare kontrollohej dhe drejtohej nga shteti. Iniciativa private ishte e ndaluar dhe shumica e aktiviteteve menaxhoheshin nga shoqëritë publike: modeli i kooperativave në bujqësi, fabrikat për prodhimin e mallrave dhe uzinat për produktet industriale ishin pronë e shtetit.
Çdo gjë ndryshoi me ardhjen e demokracisë, sistemi i ekonomisë u kthye në kapitalist dhe shteti u përfshi në një vrull masiv për privatizimin e aseteve që dikur menaxhoheshin nga shteti.
Thuajse të gjitha fabrikat dhe uzinat u shitën në ankande ose iu ndanë ish-punonjësve të tyre, ndërsa shteti mbajti kontroll vetëm në sektorë strategjikë.
Shqipëria ka me qindra ndërmarrje publike, një pjesë që parazitojnë dhe një pjesë tjetër që kanë aktivitet tregtar të lartë në sektorë jetikë si energjia, uji, nafta, institucionet financiare apo portet.
Ky është dhe qëllimi kur shteti vendos që të krijojë kompani të saj: të menaxhojë sektorë që lidhen direkt me shërbime të domosdoshme për qytetarët - në këtë rast tarifat dhe çmimet që vendosen janë të kontrolluara; kur tenton të zbutë abuzimin në çmime në tregje private që kanë strukturë monopoli apo oligopoli, siç ka qenë rasti i INSIG në tregun e sigurimeve, apo në sektorë strategjikë siç është prodhimi i mineraleve dhe lëndëve djegëse dhe në fusha shërbimesh që lidhen me sigurinë kombëtare.
Përkundër politikave të ndërmarra gjatë 3 dekadave për liberalizimin total të ekonomisë, 5-vjeçarin e fundit janë vënë re nisma masive për krijimin e kompanive në pronësi të shtetit. Qëllimi? Kalimi i fondeve e aseteve publike përmes kanaleve që nuk janë transparente në duart e kompanive private që marrin pozita monopoli.
Sot do të tregojmë historinë e shoqërisë publike që ka si qëllim prodhimin, demontimin, riparimin dhe tregtimin e armëve: KAYO.
Në vitin 2024, parlamenti miraton ligjin për krijimin e një kompanie shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake.
Ky ligj i hap rrugë themelimit të KAYO, një shoqëri aksionere në zotërim të Ministrisë së Mbrojtjes e cila ka si funksion prodhimin e pjesëve ushtarake dhe furnizimin me bazë materiale të ushtrisë shqiptare.
Ligji i njeh të drejtën KAYO-s që të marrë në zotërim toka dhe asete publike në shërbim të nevojave të saj.
“Në rastet kur një pronë e paluajtshme shtetërore është me interes për realizimin e projekteve të investimit, Shoqëria i propozon Këshillit të Ministrave, nëpërmjet ministrit përgjegjës për ekonominë dhe ministrit përgjegjës për mbrojtjen, transferimin e së drejtës së pronësisë, të përdorimit apo çdo të drejte tjetër, sipas parashikimeve të Kodit Civil,” thuhet në ligj.
KAYO-s i njihet e drejta që të hyjë në marrëdhënie me palë të treta për bashkëpunime dhe partneritete me ta.
“Shoqëria, vetë ose me kërkesë të palëve të treta, bashkëpunon me subjekte private nëpërmjet pjesëmarrjes në bashkim operatorësh ekonomikë, në partneritet publik, privat, sipas legjislacionit tregtar në fuqi ose nëpërmjet marrëveshjeve të ndryshme kontraktore të lejuara nga legjislacioni civil e tregtar.”
Në tetor 2024 KAYO regjistrohet në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe administrator i saj emërohet Ardi Veliu, ish drejtues i Policisë së Shtetit dhe ish-zëvendës ministër i Infrastrukturës, i cili 1 vit më parë ishte dorëhequr nga ky post për arsye familjare.
Kapitali i nisjes së punës së kompanisë publike ishte 3 milion euro, transfertë e cila u krye me dy transhe nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes.
Zakonisht, buxheti publik kontribuon në ndërmarrjet shtetërore me kapital fillestar, më pas ato arrijnë vetë të sigurojnë fonde përmes aktivitetit tregtar që zhvillojnë. Por ligji për krijimin e KAYO-s, lejon që kompania të marrë burime financiare nga shteti në mënyrë të vazhdueshme.
“Shoqëria mund të financohet nga buxheti i shtetit, me qëllim kapitalizmin, si dhe mbështetjen operacionale, derisa Shoqëria të krijojë të ardhura për t’u vetëfinancuar.”
Le të shohim se si i ka menaxhuar këto fonde kjo shoqëri për dy muajt e vitit 2024 për të cilat janë dorëzuar bilance.
Rezulton se janë 74 mijë euro shpenzime për pagat e punonjësve dhe 4.4 milion euro detyrime për blerjen e pajisjeve dhe mobiljeve për zyrat e KAYO.
Në qershor të vitit 2025 qeveria miraton një vendim, i cili i jep të drejtë KAYO-s të themelojë shoqëri të përbashkëta me subjekte private me qëllim krijimin e linjës së automjeteve të ushtrisë. Vendimi përcakton që pjesëmarrja e shtetit duhet të jetë në masën e 45% të aksioneve, gjysma e bordit drejtues të kompanisë të jenë përfaqësues të palës publike dhe administratori duhet të zgjidhet me dakordësi.
Vendimi nuk përcakton emrin e kompanisë me të cilën KAYO do të negociojë për të krijuar një ndërmarrje të përbashkët dhe as kriteret që duhet të plotësojë ajo. Si kontribut për KAYO-n, qeveria ka caktuar një pasuri të paluajtshme me sipërfaqe 20 mijë m2, ndërsa pala tjetër do të sigurojë investim, plan punësimi dhe sigurimin e rrjetit te shpërndarjes së produkteve.
“Shoqëria KAYO gjatë procesit të negocimit, në çdo rast, siguron nga subjekti me të cilin negocion, minimalisht një vlerë investimi jo më të ulët se 15 milionë euro në harkun kohor të 3 vjetëve, punësimin e jo më pak se 150 punonjësve në harkun kohor të 3 vjetëve dhe ofrimin e linjave teknologjike të prodhimit të mjeteve të blinduara, sipas nevojave operacionale të Forcave të Armatosura dhe sigurimin e rrjetit të shpërndarjes së produkteve në rast eksporti.”
Vendimi ndryshon 1 muaj më pas, me qëllim uljen e pjesëmarrjes së shtetit në aksione nga 45 në 20%.
Në 4 gusht të vitit 2024, KAYO në bashkëpunim me kompaninë e prodhimit të automjeteve Timak, themelon shoqërinë Timak Defence. Aksionet ndahen 80% për Timak dhe 20% për Kayo.
Objekti i aktivitetit të kompanisë është prodhimi ose përshtatja e mjeteve motorike të posaçme me një arkitekturë të hapur që lejon instalimin e sistemeve të armatimit, siç janë armët automatike, sistemet e artilerisë, pajisjet antidron, mbrojtje aktive e mjetit dhe çdo sistem tjetër që kërkohet nga forcat e armatosura. Shoqëria mund të prodhojë dhe furnizojë një gamë të gjerë automjetesh të specializuara, përfshirë automjete të blinduara ushtarake, automjete për reagim të shpejtë, automjete për kontroll turmash, ambulanca, kamionë logjistikë ushtarakë dhe automjete zjarrfikëse për përdorim civil e ushtarak.
Pala e privatit në këtë shoqëri të përbashkët me shtetin shqiptar ka të drejtë të emërojë administratorin dhe mban kontrollin financiar dhe operacional të saj. I vetmi tolerim që i është bërë shtetit është barazia në numrin e anëtarëve të Këshillit të Administrimit.
Por çfarë është kompania Timak?
Kjo shoqëri rezulton të ketë qenë 100% në pronësi të Arjeta Pucës. Ajo ka nisur aktivitetin në Shqipëri në vitin 2016 në fushën e montimit të konstruksioneve metalike për automjete ushtarake dhe me përdorim të veçantë si ambulancat, kamionët e zjarrfikëset.
Arjeta Puca është njohur nga publiku shqiptar e ftuar në një podcast të kryeministrit Edi Rama, në maj të vitit 2023. Në këtë intervistë Puca prezantoi kompaninë e saj Timak, e cila ishte përzgjedhur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për të prodhuar 500 autoambulanca që do t’i dhuroheshin Ukrainës.
Në intervistë kryeministri Edi Rama hodhi idenë e ndërtimit të një fabrike shqiptare që prodhon automjete.
Duket se nisma u materializua dy vjet më pas, por me një ndryshim: disa ditë pas Vendimit të Këshillit të Ministrave, ku KAYO autorizohet që të themelojë një kompani për prodhimin e automjeteve të ushtrisë, Arjeta Puca, vendos t’i shesë 49% të aksioneve të Timak, shtetasit Ron Yeffet për vlerën 490 euro.
Nëse shohim bilancet e kompanisë, të ardhurat e saj dy vitet e fundit, 2023 dhe 2024 arrijnë vlerën 8 milion euro, ndërsa është realizuar një fitim 1.7 milion euro. Kontratat publike të fituara nga kompania Timak kapin vlerën 2.8 milion euro. Atëherë si ka mundësi që një kompani me këtë nivel të ardhurash, të shesë thuajse gjysmën e aksioneve për vetëm 490 euro?
Kjo pyetje të çon te personi i cili ka blerë këto kuota: Ron Yeffet.
Yeffet njihet si mik i kryeministrit Edi Rama. Për herë të parë emri i tij u lakua kur tentoi të hyjë si aksioner i kompanisë së fluturimit Air Albania duke blerë 23% të aksioneve të një prej ortakëve të saj MDN Investments, marrëveshje që u prish disa muaj më vonë me pronarin e MDN, Sinan Idrizi.
Ish-zëvendës kryeminsitri Arben Ahmetaj, e përmendi për herë të parë publikisht emrin tij duke e lidhur drejtpërdrejt me kryeminsitrin Rama, jo vetëm si një mik të tij, por dhe si një person ndaj të cilit Rama kishte kërkuar që t’i shiste borxhin publik të Shqipërisë.
Ahmetaj hodhi akuza për tentativa nga ana e Yeffet që të merrte territorin e Ambasadës Shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me qëllim ndërtimin e njësive rezidenciale.
Yeffet zotëron 5 kompani në Shqipëri në fushën e naftës dhe ofrimin e konsulencave. Kompania “1820 Albania” në fushën e shërbimeve të pagesave me para elektronike, ku Yeffet ka 25% të pronësisë, “1820 Black Oil” me objekt tregtimin me shumicë të naftës bruto dhe nënprodukteve të saj 100% në pronësi të tij, firma “UNO18” në sektorin e tregtimit me shumicë dhe pakicë të pjesëve të këmbimit të mjeteve të fluturimit, avionëve dhe helikopterëve, Timak dhe Timak Special Vehicles. Edhe te kjo e fundit, ron Yeffet ka blerë 49% të aksioneve nga Arjeta Puca për vlerën 490 euro në qershor të vitit 2025. Kompania ka objekt prodhimin e automjeteve dhe të ardhura mesatare në vlerën 1.5 milion euro në vit.
Por le të kthehemi te kompania që Yeffet ka si përfitues fundor 39% të aksioneve: Timak Defence.
Zyrat e saj janë të vendosura në pronën e shtetit shqiptar ish-Uzina e Pjesëve të Këmbimit të Automjeteve, Shkozë.
Dhënia në përdorim e tokës publike për këtë kompani prej 20 mijë m2 është bërë në shkelje të ligjit pasi nuk është vlerësuar nga ekspert i pavarur për të përcaktuar vlerën e tokës dhe për të matur kontributin në natyrë dhe pjesëmarrjen në aksione. Ligji për Ankandin Publik përcakton se shitja, dhënia me qira apo kalimi i të drejtave mbi pasuritë publike bëhet vetëm përmes ankandit, me transprencë dhe konkurrencë të barabartë. Në këtë rast, Kayo nuk ka hapur asnjë garë, por ka negociuar në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Në rastin e Timak Defence nuk ka asnjë dokument ankandi, por përmes procedurës së themelimit të kompanive të përbashkëta asaj i është kaluar në pronësi tokë publike. Ligji për krijimin e shoqërisë KAYO i lejon asaj përdorimin e tokës publike, por vetëm në këtë formë:
“Shoqëria, në funksion të zhvillimit të veprimtarisë së saj, me miratimin e Këshillit të Ministrave, me qëllim ngritjen e kapitalit, të aseteve ose të likuiditetit të nevojshëm për realizimin e aktivitetit të saj, mund ta përdorë pronën e paluajtshme shtetërore si garanci, kolateral, peng apo hipotekë, në rast marrjeje financimi.”
Ky nen përcakton se dhënia e pronës publike për shoqërinë KAYO bëhet vetëm për përdorimin e saj si garanci për kredi financiare, ku prona i mbetet shtetit he nuk lejon dhënien e saj si kontribut në natyrë për të krijuar ndërmarrje të përbashkëta.
Nga ana tjetër, blerësi i prodhimeve të Timak Defence është shteti shqiptar. Nëse më parë, këto pajisje bliheshin përmes procedurës së prokurimit publik, me garë dhe konkurrencë në çmime e cilësi, tashmë Timak Defence merr të drejtën për të patur monopolin e furnizimit me mjete motorike ushtrinë shqiptare.
Por kjo nuk është kompania e vetme ku Ron Yeffet ka arritur që të marrë treg me ligj. Një tjetër firmë e regjistruar dy muaj më parë, nëntorin e vitit 2025, Advanced Arms Technology, me aksionerë kompaninë “Uno18” me 80% të aksioneve dhe ndërmarrjen publike KAYO me 20% të kuotave, ka marrë të drejtat e prodhimit, montimit dhe tregtimit të armëve të zjarrit të kalibrave të vegjël dhe të mesëm, si dhe dronëve për përdorim ushtarak. Këto produkte do të përdoren nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, struktura të tjera të sigurisë, si dhe klientë të tjerë vendas apo ndërkombëtarë, duke përfshirë eksportin e tyre.
Edhe në këtë rast, përzgjedhja e kompanisë është bërë drejtpërdrejt nga KAYO, pa garë dhe pa përmbushur asnjë kriter përvoje në këtë fushë. Uno18 rezulton të jetë në pronësi të plotë të Ron Yeffet dhe është themeluar në shtator 2024. Kompania ka një kapital me vlerë 100 euro, për vitin 2024 nuk ka realizuar asnjë të ardhur dhe shpenzimet e saj janë vetëm 3500 euro. Është e çuditshme se si kjo shoqëri do të angazhojë 60 milion euro investime dhe do të punësojë 80 persona, kur nuk ka as përvojë dhe as mundësi financiare!
Plotësimi i këtyre kritereve përcaktohet dhe në vendimin që ka marrë qeveria për “Kushtet e negocimit të shoqërisë shtetërore “KAYO”, me shoqëri private për prodhimin dhe tregtimin e municioneve të kalibrave të vegjël e të mesëm”!
“Shoqëria “KAYO”, gjatë procesit të negocimit, në çdo rast, siguron nga subjekti, me të cilin negocion, minimalisht një vlerë investimi jo më të ulët se 60 milionë euro në harkun kohor të 3 vjetëve, punësimin e jo më pak se 80 punonjësve në harkun kohor të 3 vjetëve dhe ofrimin e linjave teknologjike të prodhimit të municioneve të kalibrave të vegjël e të mesëm, sipas nevojave operacionale të Forcave të Armatosura.
Edhe këtu rregullat e prokurimit publik shmangen dhe kompanitë nuk i nënshtrohen auditimit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, pasi shteti ka më pak se 50% të aksioneve. Pagesat, transaksionet dhe shitjet që ato kryejnë, duke qenë se janë kompani dhe jo agjenci, nuk kalojnë nga sistemi publik i thesarit duke shmangur çdo element transparence.
“Po mirë, jemi budallenj ne që për çdo lloj droni do të shkojmë të kuturisemi për t’ua blerë të tjerëve? Pse nuk i prodhojmë dot ne dronët inteligjentë në Shqipëri? Çfarë na pengon? Ne kemi filluar punën për të prodhuar dronë inteligjentë në Shqipëri, jo dronë të thjeshtë, por dronë të sofistikuar, përsëri me shtetin brenda…”, tha kryeministri Edi Rama disa ditë më parë kur prezantoi punën e shoqërisë KAYO.
Po a mundet dot Shqipëria që të arrijë të prodhojë jo vetëm për nevojat e saj, por dhe për ato të tregjeve ndërkombëtare? Kjo përgjigje do të merrej, nëse qeveria shqiptare do të kishte bërë një studim tregu për aftësitë dhe fuqinë e kompanive që operojnë këtu, krahasimin e kostove të prodhimit me vendet e tjera dhe çmimet e cilësinë që do të konkurrojmë tregjet e huaja.
Ky studim mungon. E vetmja bazë, është besimi që kryeministri ka te këto projekte. Për këtë vit, shpenzimet kapitale të Ministrisë së Mbrojtjes kapin vlerën 241 milion euro , ndërsa në total për vitet e ardhshme vlera e projekteve në buxhetin afatmesëm arrin një shifër prej 2 miliard euro.
Fondet do të jepen jo vetëm për plotësimin e kushteve që duhet të përmbushë Shqipëria si vend anëtar i NATO-s por edhe në sajë të politikës së prezantuar për ringritjen e industrisë së armëve në vend.
Se ku do të shkojnë këto fonde dhe sa do t’i kthejnë pas ekonomisë, kjo mbetet për t’u parë e për të shpresuar që të mos kenë fatin e parave që financuan inovacionin përmes AKSHI-t, por hetimet e Prokurorisë së Posaçme treguan abuzime dhe përfitime për një dorë kompanish madje disa të lidhura me grupe të krimit të organizuar.



