Ekspertja e Ekonomisë Teuta Nunaj deklaroi në edicionin e lajmeve në MCN TV se nëse nuk do të ketë ndërhyrje nga instancat atëherë do të kemi një rënie të euros nën pragun e 100 lekëve. Ajo u shpreh se ka pak hapësirë që qytetarët ta përdorin këtë kurs këmbimi për të rritur të ardhurat. Nunaj shton se qeveria shqiptare është një nga fituesit e mëdhenj të rënies së euros, pasi ka marrë shumë hua në monedhën europiane. “Rënia e Euros ishte brenda pritshmëritë, pasi edhe analiza që kemi bërë dhe ecuria e ekonomisë ka treguar që rënia e euros pritej sidomos në këtë kulm sezoni. Nuk është vetëm Euro faktori që ka një rënie, por edhe Leku është rritur. Turizmi ka dy elementë, vjen si pasojë e rritjes së numrit të turistëve dhe parave që ata shpenzojnë, dhe shumë shqiptarë të rikthyer, që krahas remitancave shpenzojnë edhe paratë e tyre. Ndikim të ndjeshëm ka ndodhur edhe te dollari kanadez, amerikan, dhe franga zvicerane. Nëse do vijojë të jetë i njëjti ritëm dhe s’do ketë ndërhyrje nga asnjë instancë, do ketë një rënie nën 100 lekë të Euros. Pas rënies së sezonit turistik mund të kemi një ringritje të Euros në raport me Lekun. Janë të paktë ata qytetarë që përdorin këtë kurs këmbimi për të rritur të ardhurat. Pjesa më e madhe e remitancave të emigrantëve përdoret për konsum. Ka pak mundësi që këto para të investohet. Nuk ka hapësirë që qytetarët e thjeshtë ta përdorin këtë kurs për të rritur fitimet dhe të ardhurat. Qeveria shqiptare është një nga fituesit e mëdhenj të rënies së kursit të euros, pasi ka marrë shumë hua në euro. Qeveria shqiptare e ka të favorshme ta mbajë një kurs të ulët. Por qeveria duhet të bëjë një shpërndarje të fitimit. Të ardhurat duhet t’i shpërndajë për kompanitë e eksportit që është aktori më i prekur në këtë kurs këmbimi”, tha Nunaj. E pyetur mbi lëvizjen e fundit të qeverisë shqiptare, ku muajin e kaluar u morën 650 milionë euro borxh në tregjet ndërkombëtare, ekspertja thotë: “Nuk ishte momenti që qeveria t’i drejtohej tregut ndërkombëtar për të marrë një hua më tepër. Një faktor bazë ishte fakti që qeveria kishte likuiditet. Faktori i dytë është që kemi një kurs shumë të ulët këmbimi, që vjen duke rënë gjithnjë e më tepër. Faktori i tretë ishte niveli i lartë i interesit që qeveria shqiptare do të paguajë për këtë kredi të re, ndërkohë që kredia aktuale kishte një normë interesi të ulët. Ky borxh i ri do rëndojë gjithnjë e më tepër brezat, jo vetëm ekonominë aktuale”, vijoi Nunaj. E pyetur se cila do të ishte politika indirekte që do të rregullonte dëmin që po u shkaktohet eksportuesve dhe konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare, ajo shprehet: “Janë dy elementë që lidhen me Bankën e Shqipërisë dhe Ministrinë e Financave. BSH ka thënë që s’ka në plan që të ndërhyjë në kursin e këmbimit. Aktori i dytë është MF, që ka ndërmarrë disa nisma, siç ishte rasti për shtyrjen e detyrimeve tatimore ndaj eksportuesve për më vonë. MF mund t’i ndihmojë eksportuesit në forma nga më të ndryshmet. Nëse ka shtyrë detyrimin tatimor për kompanitë e biznesit s’do të thotë se ky detyrim s’do të shlyhet, por do të shlyhet në kohë. Në këtë rast nuk ndihmohet konkretisht biznesi. Mund të ulte apo të falte një pjesë të detyrimit. Ose t’u paguante sigurimet shoqërore të punonjësve”. E pyetur nëse në një situatë të tillë, a mund të pritet një shtrenjtim i çmimeve të banesave, transportit, për të kompensuar humbjet e kursit të këmbimit, ekspertja shprehet: “Ekonomia shqiptare dhe përgjithësisht bizneset çdo kosto e kanë përcjellë te konsumatori. Nga ana e bizneseve të pasurive të paluajtshme kemi një veprim të dytë, siç zëvendësuan dollarin me euron, edhe në këtë rast çmimet do rriten. Në shumë biznese në Jug të vendit po zgjedhin të paguhet me lekë. Secili biznes ndërmerr veprime në bazë të interesit të vet. Instancat publike duhet të mbrojnë edhe në këtë rast konsumatorin”.



