Kryeministri Edi Rama ka shkarkuar drejtoren e përgjithshme të Tatimeve, Briseida Shehaj dhe drejtoren e doganave, Pranvera Fagu, për rezultate të ulëta në realizimin e planit të mbledhjes së të ardhurave, deklarojnë burime jozyrtare. Në vend të Shehajt është emëruar Vasilika Vjero, ish drejtore e QKR-së. Kjo e fundit ka mbajtur detyrën e drejtores së taksave në Bashkinë e Tiranës, në kohën kur drejtohej nga Edi Rama. Vjero ka qenë drejtore e Taksave në Bashkinë e Tiranës deri në vitin kur erdhi në detyrë Lulzim Basha.
Vasilika Vjero dha dorëheqjen nga detyra që mbante në Bashkinë e Tiranës, bashkë me disa drejtorë të tjerë të këtij institucioni, të cilët u larguan para se Basha të merrte detyrën. Sipas burimeve, në krye të doganave është vendosur Bella Ekonomi. Shehaj ishte përfolur disa herë për t’u hequr nga detyra, por edhe pse këtë e kërkonbte FMN, Rama nuk e dorëzonte drejtoren, madje i bënte lavde në prani të zyrtarëve të FMN dhe të Bankës Botërore.
Në fakt momenti i zgjedhur tregon se e përkëdhelura e kryeministrit mund të jetë kurban që i jepet publikut, për të tërhequr vëmendjen nga skandali i plehrave që ka përfshirë Tiranën, pas miratimit të ligjit për importin e mbetjeve. Kreu i Misionit të përhershëm të FMN-së në Tiranë, pak muaj më parë Jens Reinke, në një dalje për shtyp së bashku me ministrin e financave Arben Ahmetaj, ka deklaruar se “Biznesi thotë se administrata tatimore bën represion.
Kjo pengon biznesin vendas të zgjerohet dhe të huajt të vijnë”. Rezultatet e fundit, kanë treguar se tatimet dhe doganat nuk arrijnë te kapin planin e mbledhjes se te ardhurave.



