Kryeministri Edi Rama i ka bërë thirrje tregtarëve të shumicës që të mos abuzojnë me çmimet.
Rama i kërkon që të mos luajnë me popullin, pasi nuk do ti gëzojnë lekët që mund të fitojnë nga abuzimi.
“U bëj thirrje të gjithë tregtarëve të shumicës të lexojnë aktin normativ të masave speciale të luftës dhe të mos luajnë me popullin, sepse pasojat që do të bien mbi ta do të jenë shumë të rënda, e nuk kanë për t’i gëzuar lekët e abuzimeve me çmimet në këtë kohë lufte, ku s’ka haram që do iu bëhet hallall!”, shkruan Rama në Facebook.
Ndërsa “kush i shtrëngon shitësit e pakicë të bëjnë fatura të rreme kryen një paligjshmëri që në këtë kohë do të konsiderohet krim dhe do të trajtohet si krim”, shprehet kreu i qeverisë.
Kryesisht qytetarët kanë denoncuar rritje të çmimeve të produkteve ushqimore dhe farmaceutike.
Qeveria ngriti edhe një Task-Forcë, të përbërë nga 4 institucione, Policia e Shtetit, Agjencia Kombëtare e Ushqimeve, Hetimi Tatimor dhe Agjencia e Barnave, e cila nisi nga puna për të kontrolluar e verifikuar të gjitha denoncimet për abuzimet me çmimet.
Ndërsa në një intervistë për News 24, Rama u sugjeroi biznesve të mëdha të shumën e përfituar nga ulja e tatimit mbi dividendin, për të përballuar situatën.
“Bizneset e mëdha janë të fundit në radhë për të hapur gojën në kohë lufte, e jo më për të kërkuar gjëra që janë mësuar t’i kërkojnë sa herë bëhet gati buxheti i shtetit. E di unë për kë po flas dhe çfarë po flas, nuk po them se nuk do t’i konsiderojmë, por bëjnë mirë që në këtë luftë si të gjithë të pasurit të jenë në krah të popullit dhe jo të xhepit, të jenë në krah të shtetit, të mos e shohin si bankë alternative shtetin. T’ju ngulet në mendje të gjithëve që kjo është luftë dhe ky shtet ka prioritete, janë fëmijët, më të moshuarit, ata të cilët janë në një buiznes të vogël, ata që janë të punësuar në bizneset e mëdha dhe sigurisht pastaj vijnë këta të mëdhenjtë, që të mos gabohem kanë marrë vitin e shkuar nga dividenti një shumë të madhe, është koha që atë shumë ta vendosin në dispozicion të njerëzve të tyre, të mos blejnë vetura e të bëjnë pushime në vende të shtrenjta të botës”, tha Rama.



