
Ish-presidenti Bamir Topi, në një intervistëj për “Të Paekspozuarit” në MCN, flet për përplasjet e forta me ish-kryeministrin Sali Berisha, të cilat kulmuan pas tragjedisë së Gërdecit në 2008.
Topi denoncon manovrat për ndryshime kushtetuese të cilat sipas tij ishin marrëveshje të fshehta mes Berishës dhe Ramës, që minuan rolin e Presidentit dhe kthyen vendin nga republikë parlamentare në republikë kryeministrore.
Një tjetër moment kyç i përplasjes ishte 21 janari 2011, ku pas vrasjeve në bulevard, Topi mbajti një qëndrim të fortë publik duke përballur edhe presionin institucional të kohës.
“Përplasja e vërtetë me Berishën ka ndodhur në vitin 2008 dhe ka qenë shumë institucionale. Nisi pas 15 marsit 2008 me shpërthimin e Gërdecit. Pasi jemi kthyer nga Bukureshti kur morën ftesën për anëtarësimin në NATO dhe 2-3 ditë pas këtij momenti shikoj flash informativ që vinte nga komisioni i ligjeve dhe çështjeve kushtetuese i cili po trajtonte marrëveshjen që është votuar më 21 prill 2008.
Aty ngrihet një ish-deputete e Shkodrës dhe propozon që ndryshimet kushtetuese që do të bëheshin të kundër firmoseshin nga kryeministri. Kishte filluar lufta. Ishte një nga normat më antidemokratike. Ky episod ngriti alarmin se unë s’kisha asgjë në dorë, asnjë letër. Unë mora informacionin se këta po punonin me opozitën dhe ishte një projekt i Berishës dhe Ramës dhe e futën Shqipërinë në një periudhë krizash ciklike.
Me kushtetutën që këta realizuan ti mund të zëvendësoheshe për 24 orë me 71 vota jo me 84 si më parë.
Kam folur një javë para se të miratohej kjo marrëveshje oklute se dëmi ishte te partitë brenda, beteja kundër institucioneve, kthimi nga republikë parlamentare në republikë kryeministrore. Ka 17 vite që unë i bie kësaj melodie që opozita sot e mallkon, por nuk e thotë dot se e ka arkitektin aty brenda.
Një javë pas Gërdecit unë thirra Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe në atë takim ka patur diskutime që mbeten aty brenda.
Përplasja jonë vjen në 21 janar 2011. Këtu gjërat harrohen shumë shpejt. Pas asaj që ndodhi në bulevard unë kam dalë në një status dhe ka qenë shqetësim maksimal nga ana ime se ishin vrarë njerëz dhe mesa duket ajo që kam cilësuar ka qenë vrasjet në bulevard dhe kam thënë vrasjet në kryeministri. Të gjithë e panë skenën 3D dhe mbajta qëndrim shumë të fortë dhe më pas u dhashë mbështetje publike institucioneve të drejtësisë nga prokurorja e përgjithshme e më tej.”



