Këshilltarja bashkiake e Lëvizjes Bashkë, Mirela Ruko, shkarkimet e drejtorëve në Bashkinë e Tiranës, i sheh si përpjekje të kryebashkiakut Erion Veliaj për tu shkëputur nga drejtorët e vetë.
Ajo thotë se lëvizjet e fundit të Erion Veliajt, i kujtojnë lëvizjet e Edi Ramës para hetimeve dhe arrestimet e ministrave të tij.
Ka një tentativë për të shkëputur lidhjet me drejtorët. Do të shfajësojë veten e vetë dhe të shkëpusë lidhjet me drejtorët që ndoshta në ditët në vijim do i shohim të arrestuar nga SPAK.
Është tentativë e Veliajt për t’iu ikur përgjegjësive dhe për t’iu fshehur drejtësisë dhe për të penguar drejtësinë të bëj hetime.
Besoj se nuk do shkëputet lidhja qe Veliaj ka me drejtorët e tij, për sa kohë është në krye të këtij organizimi të bashkisë Tiranë, për të grabitur para publike.
Nuk ka rëndësi kush vjen për sa kohë në krye të bashkisë është Veliaj, këta drejtorë i shërbejnë dhe marrin udhëzime nga Veliaj.
Duke folur për edicionin e lajmeve në MCN TV, për marrjen të pandehur të deputetit socialist për ndikim në tendera, Ruko deklaron se Plarent Ndreca është dhe nënkryetar i komisionit hetimor për koncensionet në shëndetësi dhe se një njeri i akuzuar për korrupsion dhe favorizime, nuk mund të mbrojë interesin publik.
Partia Socialiste është kthyer në një grup të organizuar kriminal. Ministrat dhe vetë drejtorët e vetë po përfundojnë në burg.
Nuk është një parti që ka në fokus interesin publik, por interesin e një grupi njerëzish që janë të lidhur me pushtetin në forma të ndryshme, që favorizohen për të marrë koncensione dhe prona të ndryshme.
SPAK akoma nuk e ka kaluar provën e besueshmërisë, nëse do ishte Erion Veliaj i arrestuar nga SPAK ky do ishte hapi i parë serioz i SPAK.
Për sa kohë që Veliaj është i lirë, për mua ka akoma prova për të dhënë për besueshmërinë e tij.
Për përmendjen në dosjen “Meta” nga ana e SPAK të emrit të biznesmenit Samir Mane, Ruko tha se njerëzit që kemi mbajtur me privilegje publike e kanë përdorur detyrën e tyre publike, duke favorizuar biznesmenë të caktuar dhe duke prishur konkurrencën e lirë.
Jemi në një rrugë të mirë, se për herë të parë përmendet një biznesmen i madh i cili ka ndikim në politikë.
Këtu nuk del vetëm Ilir Meta, Samir Mane, dhe Monika Kryemadhi, por del në pah se nëse ka pasur një ligj të porositur nga Samir Mane, Meta nuk i ka pasur votat dhe patjetër është i përfshirë kryeministri i vendit Edi Rama.
Këta porosisin ligje. Fakti që del me prova për përfshirjen e tyre tregon qartë oligarkinë ekonomike e cila drejton vendin.



