
Zyra franceze për Migracionin dhe Integrimin, organizoi kthimin vullnetar të 130 shtetasve shqiptarë, të cilëve u ishte mohuar kërkesa për azil në shtetin francez.
Kthimi i tyre u bë mbrëmjen e sotme rreth orës 18:00 nëpërmjet aeroportit të Rinasit ku ishte e pranishme edhe Drejtoresha e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, Aida Hajnaj.
Në fjalën e saj Hajnaj theksoi edhe një herë bashkëpunimin mjaft të mirë që ka Policia Shqiptare me zyrat e migracionit në BE dhe apeloi edhe një herë ndërgjegjësimin e shtetasve shqiptarë azilkërkues dhe respektimin e rregullave të lëvizjes së lirë në zonën Schengen.
"Shtetasit shqiptarë duhet të ndërgjegjësohen dhe të kuptojnë se rruga e vetme për t’u integruar në vendet e BE-së dhe në Schengen, është vetëm respektimi i rregullave dhe i parimeve të lëvizjes së lirë. Gjithashtu dua të theksoj edhe një herë se edhe gjatë vitit 2018, Policia Shqiptare ka marë të gjitha masat për të parandaluar fenomenin e azil-kërkimit në vendet e BE-së dhe në Schengen. Në të gjitha pikat e kalimit kufitar janë forcuar dhe vazhdojnë të zbatohen në mënyrë rigoroze dhe korrekte, masat e përcaktuara për parandalimin e këtij fenomeni", tha Hajnaj.
Sipas drejtoreshës hajnaj, aktualisht vetëm gjatë këtij muaji, kemi një sërë rastesh që janë goditur për dokumenta të falsifikuara, të cilët kanë dashur të kalojnë kufijtë për të kërkuar azil në vendet e BE-se dhe në Schengen.



