
Klevis Balliu, shef organizativ në PD në studion e MCN Live ka komentuar lidhur me protestat e opozitës për të cilat u shpreh se gjithçka po bëhet për të kthyer një shtet normal.
Ai tha se çështja e McGonigal solli transparencë mbi krimet e tjera dhe se këta qytetarët që vijnë të protestojnë nuk janë pak sepse gjendja në vend është alarmante. Sipas tij, diferencën e bën kauza dhe jo pjesëmarrja në protesta.
Në situatën aktuale ku jemi të kënaqur jemi vetëm me largimin e Edi Ramës. Këtu po bëhet gjithçka për të kthyer vendin në normalitet me një popull që ka mundësi të eci përpara dhe të kthehemi në një shtet normal sepse kemi vite që nuk jemi të tillë. Ka një kapje totale, uzurpim dhe deri diku përdhunim institucional të shtetit nga ana e qeverisë. Është katastrofë situata e vendit sot, si nga ana shoqërore por dhe ajo ekonomike.
Më tej ai shtoi se ‘McGonigal’ dhe krimi i Ramës solli transparencë mbi krimet e tjera, dhe se tani po kuptojnë sipas Balliut pse kur vendi kanabizohej Tahiri shkonte në shtëpi të bardhë.
Këtu flitet për opozitën sikur po e bën opozita korrupsion. Ne tani po kuptojmë çfarë ka ndodhur në Shqipëri, ky krim solli transparencë mbi krimet e tjera. Kur disa ndërkombëtarë vinin dhe thonin se opozita se do reformën në drejtësi qytetarët e besonin dhe tani kuptohet pse ata e thonin sepse bëheshin pagesa. Në kohën tonë gati 93% e çështjeve fitohej nga qytetarët, ndërsa Edi Rama s’ka humbur asnjë gjyq me qytetarët. Në këtë kontekst patjetër që çdo qytetar kur vjen në protestë vjen për hallin e vetë sepse gjithë Shqipëria është e lodhur sepse ka 12 vite që janë masakruar. Këta qytetarë që vijnë të protestojnë nuk janë pak. Gjendja është kaq alarmante sa janë të gatshëm të protestojnë dhe në 9 të mëngjesit. Unë mund t’ju bashkohem juve në një protestë me gazetarët edhe nëse ajo është kauza juaj dhe është e drejtë edhe nëse je ti vetëm aty. Kauza bën diferencën. PD sot organizon të gjithë strukturat e saj për t’ju gjendur pranë këtyre qytetarëve.
Balliu deklaroi se dhunën nuk e bëjnë qytetarët, por qeveria e cila shquhet për dhunë. Ai bëri me dije se protestat mund të ndodhin në çdo moment dhe se nuk duhet përjashtuar asnjë masë sepse vendi është shkatërruar.
Në këtë kontekst nuk besoj se është e vendit të pyetet nëse bëjnë dhunë qytetarët. Ky është revolucion dhe nuk ka një datë të paracaktuar se kur do të ndodhë, mund të ndodhë nga momenti në moment. Ka dhe protesta të pallogaritura sidomos në një situatë kur nuk ke parlament, polici, siguri. Ky është revolucion. Nëse besojmë në akuzat që ngrenë opozita duhet të jemi koshientë për ato akuza. Ky revolucion dhe PD e ka për detyrë tu nxjerr frikën qytetarëve dhe duke ju ndenjur më afër atyre. Sakrifica duhet të nisë nga ne që jemi në këtë parti dhe kemi disa poste. Vendi po shpopullohet, rinia po largohet, ndërkohë që qytete të tëra në vend janë bosh dhe varfëria është në ekstrem.
I pyetur se me çfarë morali PD bëhet me Ilir Metën, Balliu tha se kjo ka ndodhur dhe më parë dhe se qeverisja me ta ka qenë e suksesshme.
Sa i përket Ilir Metës PD ka qeverisur me të dhe ka qenë e suksesshme sepse janë liberalizuar vizat, u ulën taksat pra është diçka e provuar. PD po sulmohet duke ngritur akuza nëpërmjet agjentëve të korruptuar të FBI. Kjo parti nuk ka lindur sot kemi qeverisur dhe për 8 vite kemi bërë dhe disa premtime dhe sot mund të jesh i majtë apo i djathtë por e di që infrastruktura ka pësuar ndryshim rrënjësor, energjia u zhdukën gjeneratorët, anëtarësimi në NATO, pra ne kemi një histori, premtimet që kemi bërë i kemi mbajtur. Mund të ishte punuar dhe më mirë, padiskutim ka pasur dhe korrupsion dhe prej tyre qytetarët na kanë kaluar në opozitë. Ne sot jo vetëm kemi alternativën, por dhe burimet njerëzore të duhura për ta çuar përpara këtë vend. Rama solli gjithë banditët në parlament, ha, pi me drogaxhinjtë që çojnë femra në trafik. Kjo parti është parti kriminelësh, është lindur me krimin në ‘44 nuk ndryshon. Faktet janë këto që them unë. Politika nuk është çështje moshe. Teoria e xhaketave të vjetra është teori komuniste. Të rinjtë nuk duhet të ecin përpara për moshën, por për kapacitetin.
Sa i përket 3 marsi dhe protestës së paralajmëruar, Balliu tha se vonesa e vendimit të gjykatës për vulën e PD është një turp.
Ajo ditë e 3 marsit e para është një turp, ajo gjykatë është një shëmti që kjo gjykatë ka 1 vit e gjysmë që nuk jep përgjigje dhe duhet të zhduken nga kjo drejtësi. Si ti si gjyqtar që përfaqëson drejtësinë ke një detyrë të japësh një vendim, por s’mund të shtyhet ai gjyq. Rama dhe gjykata do mbajë përgjegjësi sepse ne do të bëjmë gjithçka, sepse në një shtet kur bie demokracia ka revolucion dhe do e bëjmë si të vijë sepse kur ka revolucion ndodh gjithçka. Duhet të shpëtojmë vendin nga ky turp.



