Katër njerëz të tjerë kanë ndërruar jetë në SHBA për pasojë e koronavirusit COVID-19 në shtetin veripërindimor të Uashingtonit, duke e çuar në gjashtë persona numrin e vdekjeve në të gjithë vendin.
Gjithsej në SHBA janë raportuar më shumë se 80 raste infektimi me koronavirus.
Presidenti Donald Trump pritet të takohet me përfaqësues të kompanive farmaceutike, ndërsa një ditë më parë deklaroi se SHBA-të kanë të gjithë potencialin e duhur për t’u përballur me këtë virus që ka mbërthyer botën.
Takimi ishte planifikuar qysh më parë për të diskutuar mbi çmimet e barnave, por tani fokusi do të jetë koronavirusi.
Në mbledhje marrin pjesë zv.Presidenti, Mike Pence dhe anëtarët e grupit të tij të punës për koronavirusin.
Trump tha para gazetarëve se fjalë është për “një vaksinë, mbase edhe një kurë”.
Numri i vdekjeve nga koronavirusi në të gjithë botën u rrit mbi 3 mijë persona, ndërsa numri i atyre të konfirmuar me koronavirus kapi shifrën e 90 mijë personave.



