Xhadat- Institucioni i falimentuar shpenzon miliona para nga buxheti i shtetit për makina luksoze (VIDEO)

Xhadat- Institucioni i falimentuar shpenzon miliona para nga buxheti i shtetit për makina luksoze (VIDEO)

Hekurudha Shqiptare, që është cilësuar si një institucion i falimentuar edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, përmes një procedure tenderimi ka blerë së fundmi 4 makina për rreth 129 milionë lekë. Çmimi për një makinë ishte 32.2 milionë lekë, një shifër aspak modeste për një institucion të tillë.

Nga kërkimet që “Xhadat” bëri në specifikimet teknike të tenderit zbuloi se makinat e blera janë me kilometrazh 0, vit prodhimi jo më pak se 2022 dhe me 5 dyer. Gjithashtu Hekurudha Shqiptare ka përcaktuar edhe ngjyrën e automjeteve, blu ose të ngjashme me të.

Si kriter i përzgjedhjes së fituesit ishte vendosur oferta ekonomikisht më e favorshme bazuar në çmim. Megjithatë në datën 16 maj fituese e këtij tenderi është shpallur kompania Desion shpk me ofertën më të lartë nga dy ofertat e paraqitura, me vlerë 128.8 milionë lekë ose sa 98.5% e vlerës së fondit limit.

Ajo që vlen të theksohet është se këto 4 makina për Hekurudhën Shqiptare do të blihen me paratë e buxhetit të shtetit. Me pak fjalë, shteti i akordon miliona para për shpenzime luksi, një institucioni që nuk ofron thuajse asnjë lloj shërbimi për qytetarët. 

“Xhadat” i dërgoi një kërkesë për informacion edhe Hekurudhës Shqiptare për të mësuar se për ç’arsye dhe kush do t’i përdorë këto automjete, duke qenë se këtë informacion nuk e gjetëm në asnjë prej dokumenteve të tenderit. Në përgjigjen për “Xhadat”, Hekurudha Shqiptare tha se ky konstatim nuk është i vërtetë dhe se çdo informacion për tenderin është publik dhe i aksesueshëm për të gjithë.  Mirëpo pretendimi se arsyet e përdorimit janë publike është i pavërtetë dhe kjo faktohet nga dokumentet e publikuara në sistem dhe buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik. Në asnjërin prej dokumenteve nuk gjenden arsyet e përdorimit të këtyre katër automjeteve të reja.

Megjithatë në përgjigjen zyrtare për “Xhadat”, Hekurudha Shqiptare bën me dije se automjetet janë blerë për të lehtësuar menaxhimin e detyrave funksionale në terren të Hekurudhës Shqiptare dhe se nuk mund të përdoren nga askush tjetër përveç punonjësve të këtij institucioni. Në mungesë të plotë të transparencës, Hekurudha Shqiptare, nuk tregon në asnjë moment se nga cilët punonjës do të përdoren konkretisht këto makina.

Më herët, “Xhadat” ka treguar se si Hekurudha Shqiptare, që sot nuk ofron thuajse asnjë shërbim për qytetarët, ka shënuar humbje të konsiderueshme. Në vitin 2020 ky institucion shënoi plot 2 miliardë lekë humbje, ndërsa për 5 vitet e fundit, 3 miliardë e 783 milionë lekë. Kontrolli i Lartë i Shtetit në një auditim të kryer në periudhën 1 janar 2018- 30 maj 2019, e ka cilësuar Hekurudhën Shqiptare, një institucion plotësisht të falimentuar.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy