Reshjet e borës dhe ngricat që kanë mbërthyer të gjithë vendin kanë izoluar qytete dhe fshatra. Në të gjithë vendin vijojnë të jenë prezente temperatura disa gradë nën zero, që kanë shkaktuar probleme në jetën dhe aktivitetin e përditshëm të banorëve të zonave të prekura.
Ndërkohë në të gjithë vendin rrugët nacionale janë të hapura. Por situata më problematike paraqitet në qarkun e Dibrës ku rrugët rurale kanë vështirësi lëvizjeje për shkak të stuhive të vazhdueshme të borës.
Raportohet se aksi nacional ësthë i hapur për mjetet, por nevojitet pajisja me zinxhirë për t’i paraprirë çdo lloj të papriture.
Në Qarkun e Kukësit, Rruga e Kombit është e hapur dhe qarkullimi bëhet pa zinxhirë, ndërkohë që janë të kalueshme me zinxhirë dhe shumica e rrugëve rurale.
Në qarkun e Lezhës, bashkia e Mirditës i është përgjigjur thirrjes për ndihmë të banorëve në në fushë Luxhe të Oroshit, ku ka shpërndarë ndihma në ushqime nga ajri me helikopterë të ministrisë së Mbrojtjes dhe bazë ushqimore për bagëtitë.
Në qarkun e Shkodrës, në Njësinë Administrative Pult temperaturat janë të ulëta dhe mungon energjia elektrike. Aksi rrugor Bardhet-Iballë është ende i bllokuar por vijon puna për hapjen e tij.
Në qarkun e Korçës vetëm rruga Ersekë – Leskovik, rezulton e bllokuar nga bora. Kompanitë e mirëmbajtjes vazhdojnë të kriposin akset rrugore që kanë me kontraktim.
Në qarkun e Gjirokastrës rrugët janë të qarkullueshme vetëm me zinxhirë.
Efektivët u kanë bërë thirrje banorëve të Gjirokastrës që edhe në qytet të qarkullojnë me mjete të pajisura me zinxhirë për shkak të prezencës së akullit.Në Sarandë, reshjet e borës kanë vijuar përgjatë gjithë natës, dhe qarkullimi i mjeteve rekomandohet me zinxhirë.



