Pedagogu i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Tokios Medlir Mema, analizoi në edicionin e lajmeve në MCN TV situatën në Ukrainë, duke u shprehur se suksesi rus në Mariupol, nuk do të thotë se janë arritur objektivat e Putinit.
Suksesi rus në Mariupol nuk do të thotë sukses në objektivat e Putinit. Ka arritur disa qëllime afatshkurtra, por Ukraina në të ardhmen mund të fillojë kundërsulmet për të marrë disa nga territoret”.
Mema tha se do të ketë një paradë ushtarake në Mariupol më 9 maj, duke shtuar se nisja zyrtare e luftës mund t’i sjellë Rusisë ushtarë të rinj, por jo domosdoshmërisht efikasitet.
Mendoj që ai e konsideronte diçka të mbaruar brenda 3-4 ditëve, ose një jave. Nuk ndodhi, jemi në betejë të gjatë. 9 maji është ditë simbolike, e shenjtë për Rusinë. Qëllimi për paradën madhështore nuk është arritur. Do ketë një paradë ruse në Mariupol për të treguar që ne jemi zoti i qytetit, prandaj po bëhet një pastrim. Putini do ta kalojë në një fazë lufte zyrtare ndaj Ukrainës, është ligjore dhe teknike. Ka të drejtë të thërrasë në ushtri të rinjtë, kjo mund t’i sjellë gjak të ri Rusisë, jo domosdoshmëri efikasitet. Do ketë masë të madhe ushtarake, por jo kualifikimin e duhur ushtarak. Napoloni e provoi këtë. Ka gjasa që beteja e Ukrainës të jetë beteja e fundit e Putinit”.
Mema tha se sanksionet kanë filluar të gërryejnë nga brenda edhe solidaritetin mes vendeve evropiane.
Gjermania ka pasur gjithmonë dyzim në marrëdhëniet me Rusinë. Gjermania varet në mënyrë totale nga gazi rus, më pak nga nafta ruse. Hungaria, Sllovakia kanë shprehur gjithashtu kundërshtime. Problemi kryesor në marrëdhëniet Evropë Rusi është për gazit. Aktualisht po flitet për sanksione ndaj naftës. Gazi do vazhdojë të blihet. Kemi një marrëdhënie perverse këtu. Sanksionet kanë filluar të gërryejnë nga brenda edhe solidaritetin e shteteve evropiane, dhe nuk parashikohet të zgjasë për shumë kohë".
Lidhur me qëndrimin e Dragh-it për heqjen e vetos, Mema tha se ndoshta është rasti për ndryshime institucionale në BE, por këto janë të vështira në kohë lufte. Sidoqoftë ai u shpreh se e sheh të vështirë të ketë ndryshime në një periudhë afatshkurtër.
Teksa u ndal te procesi i integrimit i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut Mema tha:
I është bërë presion Shqipërisë, që aplikimi të shkojë së bashku me Maqedoninë e Veriut. Problemet më të mëdha janë zhvillimet e brendshme. Rënia e lirisë së shtypit në Shqipëri, kriminalitetit dhe rrëshqitjen drejt autoritarizmit. Shqipëria shpëtohet kur të bëhet kandidat me vlera të shtuara. Aktualisht ka zero vlera të shtuara. Çdo gjë që do BE tani e merr, pa qenë Shqipëria pjesë e BE. Mund t’i sjellë më shumë negative se sa pozitive”.



