Ish-kryeministri Nikolla Gruevski thotë se ka pasur një skenar për eliminimin e tij fizik nëse do të shkonte në burg. Në një intervistë për televizionin italian, RAI, Gruevski është shprehur se u arratis nga Maqedonia pikërisht për këtë arsye.
“Në burg, jeta ime do të ishte në rrezik. Nuk mund të jap detaje,. Institucionet e vendit tim nuk janë të lira për të kryer hetimet e duhura rreth kësaj. Kur isha kryeministër kam bërë disa reforma popullore, të cilat nuk u kanë pëlqyer disave dhe janë bërë armiqtë e mi. Ka pasur fushata të dhunshme kundër meje dhe në këtë kontekst nuk është e vështirë të identifikohen ata që kanë ideuar ekzekutimin tim”, theksoi Gruevski.
Ish-kryeministri maqedonas shprehet në intervistë se procesi ndaj tij ka qenë i montuar politikisht, ndërsa shton se zgjodhi Hungarinë për t’u arratisur sepse beson në pavarësinë e institucioneve të saj. “Erdha në Hungari sepse këtu ka institucione të pavarura”, thotë ai për RAI-n.
Por ish-kryeministri maqedonas është i rezervuar kur pyetet se si hyri pa pasaportë në Shqipëri, nga ku udhëtoi më pas drejt Budapestit.
“Duke ditur se kam qenë kryeministër, kishte garanci për sigurinë time, më transportuan në Hungari, udhëtimi im u mundësua nga diploamcia hungareze”, thotë ai.



