
Deputeti socialist Bardhyl Kollçaku, inaugurimin në 4 mars të bazës së NATO-s në Kuçovë, e sheh si vlerësim të aleancës për Shqipërinë për rolin e saj në rajon.
Në një lidhje telefonike për MCN Live, ai deklaroi se për herë të parë në Shqipëri, do të ketë një bazë ushtarake ku ne do jemi pjesë vitale fizikisht e aleancës.
Sipas tij, për herë të parë ka një bazë që do të kryejë shumë misione dhe funksione në këtë kohë të vështirë që po jetojmë.
Kjo bazë e kalon rëndësinë rajonale dhe kombëtare. Është bazë strategjike e cila do i shërbejë krahut lindor të aleancës.
Ka filluar impaktin në komunitet, baza nuk do të jetë vetëm e NATO-s, pasi do të përdoret gjerësisht nga Forcat e Armatosura.
Do të vendosen helikopterë e rinj që po marrim nga SHBA, do vendosen dronët që po blejmë. Do stërviten Forcat e Armatosura, por jo vetëm.
Me përmirësimet që ka bërë baza do ketë një terren shumë të mirë për stërvitje, jo vetëm për forcat tona.
Do stërviten dhe forcat ajrore dhe tokësore të NATO-s.
Mbas aneksimit të paligjshëm nga Rusia të Krimesë dhe sulmit në Dobas dhe Luhansk, aleanca po shikonte mundësinë për venddislokimin tek ne dhe nga mbi 140 baza që iu vunë në dispozicion aleancës, u zgjodh Kuçova.
Është një bazë që është mbi 300 ditë pa mjegull, mund të fluturojë çdo mjet ajror, është e mbrojtur nga të gjitha anët.
Ka tunele, elementë tokësorë, mbitokësorë, por nuk duhet të harrojmë faktin që nuk u zgjodh Kuçova, por Shqipëria, për kontributin e saj në rajon, është një vend i përzgjedhur, pro amerikan, pro NATO-s dhe me një influencë të madhe në rajon.
Para disa ditësh miratuam strategjinë e sigurisë kombëtare. Mbas miratimit të strategjisë është në proces për tu miratuar strategjia ushtarake dhe plani afatgjatë i zhvillimit të Forcave të Armatosura.
Sot nuk është më sekret të thuhet që agresioni rus ndaj Ukrainës, konsiderohet nga aleanca një rrezik potencial, po ashtu ekstremizmi dhe terrorizmi.
NATO nuk nxit luftën, por është aleancë mbrojtëse dhe merr masa që të dekurajojë çdo potencial të mundshëm që synon të cenojë aleancën.
Sa i takon mbajtjes së samitit të paqes në Tiranë, ku për herë të parë vjen fizikisht vjen dhe presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, Kollçaku tha se një samit i tillë vjen në vijim të qëndrimit të angazhimit që Shqipëria ka marrë që nga agresioni rus ndaj Ukrainës.
Ne kemi mbështetur sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Ukrainës.
Zgjedhja që samiti të bëhet në Shqipëri, është mbështetje dhe për të vlerësuar që rreziku rus është i pranishëm në rajon dhe lufta që po bën Ukraina është e drejtë.
Do të konfirmojë dhe një herë mbështetjen e rajonit dhe aleancës.
Natyrisht që do ketë masa të shtuara të sigurisë, por natyrisht Presidenti Zelensky nuk është vizita e parë që bën jashtë Ukrainës.
Ka elementë të rrezikut dhe kërcënimit, por jam i sigurt se strukturat e sigurisë dhe inteligjencës kanë marrë masa që kjo vizitë të bëhet qetë.



