Aktori Gentjan Zenelaj i ftuar në emisionin “Bilardo” në MCN ka komentuar për rezultatin e zgjedhjeve të 14 majit ku u shpreh se priste që të kishte pak më tepër balancë politike. Ai tha se Shqipëria ka nevojë për opozitë të fortë sot dhe përgjithmonë, një opozitë të fortë që të bëjë zërin dhe të thotë kur është gabim. Sipas tij Shqipëria vazhdon ende të ketë probleme me shitblerjen e votës, por ajo që e shqetëson është indiferenca e të rinjve për të votuar.
Uroj të gjithë shqiptarët që u lumturuan me këtë rezultat tani ta bëjnë gjumin më rehat dhe të flenë të qetë. Çështja është që e prisja që harta të kishte pak më shumë balancë sepse Shqipërisë do i bënte pak më mirë një balancë forcash, por ishte vota e shqiptarëve, kështu që ju kam lënë Edi Ramën. Unë jam i përfshirë në aktualitetin politik të Shqipërisë dhe do doja që Shqipëria të kishte një opozitë të fortë jo sot, por gjithmonë, një opozitë të fortë që të bëjë zërin dhe të thotë që këtu është gabim, por jo një opozitë konfliktuale që me fakte dhe prova rregullon ligjet në parlament. Ata harxhojnë kohë duke u sharë se ju jeni hajdutë keni vjedhur dhe pastaj ligjet miratohen.
Më tej ai komentoi dhe për akuzat e opozitës për shitblerje votash për të cilën u shpreh se vetë preferoi të mos kap lek këtë herë, duke pasur një revoltë personale. Sipas tij, ka pasur zona që është shkëmbyer lart, ka pasur raste që ka kapur dhe mbi 500 euro.
Ka kapur lart, me vende pune, ka pasur raste kur punon një fis për të futur një polic bashkiak. Mua më vjen keq që Shqipëria vazhdon akoma të ketë histori me shitblerje votash. Mua më shqetëson indiferenca totale e brezit të ri qoftë dhe për të shkuar në votime. U ndje një indiferentizëm e madhe nga votuesit për herë të parë deri te 24-vjeçrët. Kam qenë pjesë aktive e politikës shqiptare në ‘96-‘97 në Lezhë, por dua të krahasoj diçka që PS e asaj kohe me Fatos Nanon ishte e përbërë nga intelektualë, shkrimtarë dhe për mua prezenca aty si një gjimnazistë ishte një vlerësim i madh. Politika e sotme nuk krahasohet me atë të asaj kohë, kishte njëlloj takti, sot po shohim një politikë shumë të dhunshme, banale dhe mendoj se politika duhet të jetë një formë në ecje përpara nuk mund të ngelë në fyerje dhe kërcënime.
I pyetur se çfarë nuk shkon këtu, Zenelaj tha se e gjithë është një pemë e mbjellë shtrembër që po rritet shtrembër dhe po nxjerr filiza të shtrembër.
Politika këtu vazhdon nxjerr figura që nuk kanë personalitetin e tyre politik, shoh kopje, por vjen një moment që stampa prishet dhe i nxjerr ato të shëmtuara. Më vjen keq që sot janë shumë të rrallë me kokrra që personazhe nga shoqëria civile që mund të kenë personalitetin e tyre politik. Ne e duam servilizmin, më vjen keq se si individë nga shoqëria civile në ofertën më të parë braktisin gjithçka dhe ikin. Ekziston një shprehje në politikë që sistemi për tu ndryshuar duhet të futesh brenda sistemit, por kjo nuk do të thotë që një pikë e bardhë të bëjë gjithë kovën me bojë të zezë të bardhë, pro të ndjehet pak ajo grija.



