Kuvendi i Republikës ka miratuar me 91 vota pro, 5 kundër dhe 3 abstenim, shtyrjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore deri më 23 qershor.
Seanca e sotme e parlamentit, e dyta në një kohë të gjendjes së fatkeqësisë natyrore, ka nisur me një ankesë nga ana e deputetëve të opozitës së re të cilët akuzonin se u është ndërprerë fjala në parlament.
Kryetarja e grupit parlamentar demokrat, Rudina Hajdari, deputetët Ralf Gjoni dhe Myslym Murizi dolën hapur kundër këtij vendimi, me argumentin se qeveria nuk ka dhënë një shpjegim logjik për këtë vendim, e aq më tepër se shifrat nuk e justifikojnë shtyrjen me 2 muaj të gjendjes së fatkeqësisë natyrore.
12:03/ Hajdari: Me çfarë arsye kërkuat shtyrjen e Fatkeqësisë Natyrore me dy muaj
Deputetja e Kuvendit të Shqipërisë, Rudina Hajdari të enjten kërkoi nga qeveria të shpjegojë se për çfarë arsye ka kërkuar shtyrjen e Fatkeqësisë Natyrore me dy muaj.
Hajdari tha se për një vendim të tillë nuk është dhënë deri sot asnjë arsyetim logjik.
"Deri më sot nuk kam dëgjuar një shpjegim logjik që pse po i marrim hapat e deritanishme. nuk dëgjoj asnjë plan konkret të qeverisë, ju sot kërkoni një shtyrje të afatit të gjendjes së fatkeqësisë natyrore, pse jo 2 javë apo 30 ditë sa e lejon afati. Nuk jam këtu për të kundërshtuar qeverinë, por po përfaqësoj popullin dhe për t marrë një përgjigje mbi arsyet konkrete pse e kërkoni këtë ndryshim. Nuk keni dhënë asnjë arsyetim, pse i keni ndryshuar fashat orare, pse çfarë ndryshoi nga dje, çfarë është kjo fazë e dytë, sa faza do ketë. Kur kërkohet llogari nuk do të thotë që po kundështohet, një deputet e ka për detyrë të kërkojë llogari”, tha Hadjari.
Sipas saj, për çfarë arsye, qeveria mori vendimin për karantinimin e shqiptarëve kur kishte vetëm 8 raste, e ndërsa thotë që do të marrë masa lehtësuese kur ka 25 raste në ditë.
“Pse izoluat shqiptarë me 8 raste dhe sot po i kërkoni me 25 raste në ditë. Sot thoni hajde lironi bizneset dhe në fakt rastet po rritet dhe kur kishte vetëm 8 raste i izoluar. Çfarë garancie u jepni qytetarët që situata nuk po përshkallëzoni, ju i thoni njerëzve është më i sigurt të eci në rrugë se të ecë me makinë private. Ku është shpjegimi juaj, ku i keni epidemiologët që ju japin këto mendime? nuk mundet të merrni këto vendime”, pyeti ajo.
Ndërsa pyeti më tej Qeverinë se për çfarë arsye u tërhoqët pa asnjë lloj konsultimi nga të Drejtat Europiane të të Drejtave të njeriut.
“A u nxituat, a është kjo si në 97? Unë them se jo. Pse vazhdoni të thoni se e-albania paska kompetencën e duhur, a janë ekspert të fushës, kush janë këto që japin leje që të dalim jashtë. Kërkoni ta shtyni këtë gjendje me dy muaj, të hapni bizneset. Kjo është një situatë shumë e ndërlikuar për shqiptarët, sot u thoni që do e keni këtë gjendje edhe për 2 muaj pa u dhënë asnjë shpjegim", tha Hajdari.
12:00/ Ahmetaj: Bankat aprovojnë 72 aplikime kredie të biznesit të madh
Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj tha se në paketën financiare për përballimin e situatës së COVID-19 janë futur edhe 22 mijë familje që kishin dalë nga mbështetja e asistencës për shkak të pikëzimit.
Ahmetaj e bëri të ditur këtë fakt gjatë fjalës në parlament ku argumentoi kërkesën e mazhorancës për shtyrjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore deri më 23 qershor.
Ministri po ashtu bëri të ditur se janë aprovuar sot nga bankat 72 aplikimeve të bizneseve të mëdha për mbështetje për pagat e punonjësve, në sajë të garancisë sovrane, nga 100 milionë dollarë që është instrumenti i garancisë.
“A duhet shtyrë gjendja e fatkeqësisë natyrore? Të diskutosh janë 30 apo 60 ditë se po e përdor mazhoranca...Jemi duke folur për jetë njerëzish. Një jetë njeriu është e shtrenjtë, dhe janë 27 qytetarë që kanë humbur jetën dhe janë 27 familje që kanë humbur njerëzit e dashur. por po të bëni një krahasim, në një debat njerëzor me njëri-tjetrin në funksion të mbrojtjes së qytetarëve”, tha Ahmetaj.
10:48/ Gjoni: Rama me fat që ka Bashën përballë, një dështak që rri si dele
Deputeti i opozitës, Ralf Gjoni është shprehur kundër shtyrjes së fatkeqësisë natyrore, e ndërsa nuk ka lënë pa komentuar edhe aktualitetin politik, ku nuk munguan ironitë dhe akuzat për Ramën- Bashën- Metën.
"Unë jam kategorikisht shtyrjes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore, por nuk shoh kushtet e përshtatshme për logjikën e kërkesës. Nuk shoh fatkeqësi natyrore, por 20 e kusur vdekje në logjikën time nuk janë një arsye e fortë. Më shumë ka vrarë tërmeti i 26 tërmeti se koronavirusi. Pse kjo po ndodh në Shqipëri, që në fakt është një lajm i mirë. Por realiteti është ky që në Shqipëri COVID-19 nuk po bën kërdi, prandaj duhet që jeta të ktheje normaliteti, se kjo i jep target qeverisë që të jetë më autoritare. Skemën politike po e dominon Rama, dhe dashuria e tij për Metën. Ku je Taulant, pse s'po shkarkoni Metën? E morët nga politika e cuat në azil, tani e keni kthyer në deputet me korrespodencë. Si mund që presidenti të bëjë propozime për ndryshimin e Kodit Penal. Rrotullohen treshe në krevat mbi kurrizin e popullit, kjo është fatkeqësia e këtij vendi, bëjnë teatër ndërkohë që vendi po grabitet. Rama ka një fat të madh që ka përballë një dështak, e kam fjalën për atë që bën si lider opozite, por rri si dele. Është e turpshme", tha Gjoni.
10:45/ Murrizi- Spiropalit: Jeni konsultuar me dashurinë e Lalzit për shtyrjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore
Kundër shtyrjes së fatkeqësisë natyrore është rreshtuar deputeti i opozitës së re, Myslim Murrizi, ku nuk i ka kursyer ironitë për kryeministrit Edi Rama dhe presidentin Ilir Meta.
"Dëgjova zonjën Spiropali, nuk e di për zgjatjen e afatit a jeni konsultuar me kapon se ai tha 30 ditë do jetë darkod, e mos i vjen SMS nga llozha Taulantit shkarkohet Ulsua dhe vjen data tjetër, prandaj, flisni para e të mbushni kutitë, flisni me dashurinë e Lalzit dhe aleancës së ngjalave”, tha Murrizi.
10:30/ Ruçi u tërheq vëmendjen deputetëve: Vendosni maskat
Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike, Myslim Murrizi, ishte duke folur, Kryetari i Parlamentit, Gramoz Ruçi e ka ndërprerë për t’u bërë një vërejtje disa deputetëve që ndodhen në sallën e Kuvendit.
Ruçi i ka tërhequr vëmendjen një pjese të deputetëve që kishin hequr masat mbrojtëse të koronavirusit dhe u ka thënë që t’i vendosin dhe të respektojnë rregullat.
“Shikoj disa deputetë që nuk vendosin masat mbrojtëse, këto janë për të mbrojtur veten dhe për të mbrojtur të tjerët, ju lutem respektoni rregullat.”-u shpreh kreu i Kuvendit, teksa më pas i tha Murrizit që të vijonte me fjalën e tij.
10:00/ Kuvendi/ 12 pika në rend dite, për COVID- 19 vetëm zgjatja e fatkeqësisë natyrore
Sot në orën 10:00 Kuvendi do të mbajë seancën e dytë plenare në kushtet e gjendjes së fatkeqësisë Natyrore.
Për këtë motiv, edhe në seancën e ditës së sotme priten që deputetët dhe ministrat të jenë të pajisur me maska, doreza dhe do t'i nënshtrohen matjes së temperaturës që në hyrje Kuvendit.
Në rendin e ditës janë 12 çështje, por vetëm njëra ka lidhje me COVID-19, që është pika 3 për zgjatjen e afatit të gjendjes së fatkeqësisë natyrore deri në 23 qershor.
Rendi i ditës
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 16.04.2020 2. Njoftimi i çështjeve të depozituara në Kuvend për shqyrtim
3. Projektvendim “Për zgjatjen e afatit të gjendjes së fatkeqësisë natyrore”
4. Projektligji "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9870, datë 4.2.2008, “Për standardizimin”, të ndryshuar
5. Projektligji "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9587, datë 20.7.2006, “Për mbrojtjen e biodiversitetit”, të ndryshuar
6. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 64, datë 31.5.2012, “Për peshkimin” të ndryshuar
7. Projektligj "Për aktivitetet e turizmit detar"
8. Projektligj "Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e konektivitetit të rrugëve rajonale dhe lokale në Shqipëri"
9. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit financiar ushtarak, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë, dhe të protokollit zbatues në lidhje me asistencën financiare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë”
10. Projektligji “Për ratifikimin e protokollit 6 shtesë të marrëveshjes për amendimin dhe aderimin në marrëveshjen e tregtisë së lirë të Evropës Qendrore”
11. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes për një hua shtesë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe fondit të Kuvajtit për zhvillimin ekonomik arab për financimin e projektit të rehabilitimit të rrugës së lumit të Vlorës”
12. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet, Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Francës, në lidhje me themelimin dhe ushtrimin e aktivitetit të Agjencisë Franceze të Zhvillimit, të PROPARCO dhe të EXPERTISE FRANCE në Shqipëri”.



