Zgjedhjet në Kosovë/ Votojnë krerët politikë, shënohen parregullsitë e para

Zgjedhjet në Kosovë/ Votojnë krerët politikë, shënohen parregullsitë e para

Ndërkohë që zgjedhjet në Kosovë kanë nisur, krerët politikë të saj, kanë votuar që në mëngjes herët dhe u kanë bërë thirrjeve votuesve që të shkojnë e të votojnë në këtë ditë të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës, ku secili duhet të marrë përgjegjësinë e tij dhe të shprehë qëndrimin e vet qytetar për përfaqësuesit që duhet të zgjidhen për drejtimin e vendit.

Kandidati për kryeministër nga radhët e koalicionit AAK-PSD, Ramush Haradinaj ,pasi ka votuar dhe ka transmetuar dretpërsëdrejti në rrjete sociale teksa kryente proceduart për votim, u është drejtuar qytetarëve të Kosovës me një postim, ku shprehet:

“Të dashur qytetarë, këtë mëngjes, Anita dhe unë, e kemi kryer obligimin qytetar, duke shprehur me votë vullnetin tonë për Kosovën që duam.

Iu bëj thirrje të gjithë qytetarëve të vendit me të drejtë vote, t'iu drejtohen kutive të votimit, për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për mandatin e ardhshëm katër vjeçar, duke ushtruar të drejtën dhe obligimin e vet ligjor dhe demokratik.

Pas një fushate parazgjedhore, që manifestoi pjekuri politike dhe vullnet për transformimin e shoqërisë dhe forcimin e shtetit, dalja masive në zgjedhje dhe kujdesi që ato të jenë transparente, fer e të drejta, garantojnë se Kosova ka marrë drejtimin e duhur. RH”.

Presidenti i Kosovës,  Hashim Thaçi, gjithashtu u ka bërë thirrje qytetarëve për votim në të mirë të ardhmes së vendit.

“Bashkë me Lumen votuam dhe ju ftoj të gjithëve që të dilni dhe të votoni. Kjo është ditë shumë e rëndësishme për demokracinë tonë dhe të gjithë qytetarët duhet ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur.

Uroj që këto zgjedhje të jenë zgjedhje për të ardhmen e sigurt euroatlantike të Kosovës, për një jetë më të mirë, për zhvillim ekonomik, për vende të punës dhe mirëqenie më të mirë për të gjithë qytetarët. HTH”, ka deklaruar ai.

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, ka shprehur besimin e saj për mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe për pjesëmarrjen e qytetarëve në votime. Gjithashtu, ajo është shprehur se në vijim se Kosova sot do të ketë arsye për të festuar.

“Thirrja ime është për të gjithë qytetarët e Kosovës që të bëhen pjesë e këtij vendimi historik. Kjo është ditë vendimtare për të ardhmen e Kosovës. Besoj që përmes një procesi ferr, Kosova do të ketë sot arsye për të festuar. Shpresoj që gjithçka do të shkoj mbarë dhe qytetarët të kenë mundësi të paraqesin vullnetin e tyre të lirë”, ka deklaruar ajo.

Kryetari i lëvizjes “Vetëvendosje”, i cili është edhe kandidat për kryeministër nga kjo parti, Albin Kurti, e ka përcjellë praninë e tij në votime drejtpërsëdrejti në rrjetet sociale. Në deklaratën e e tij për mediat ai u ka bërë thirrje qytetarëve për të qenë të pranishëm në votime dhe ka shprehur bindjen se pas votimeve do të ketë arsye për festë masive.

“Në ditën e sotme nuk ka rëndësi a je i pasur apo i varfër, a i ri a i vjetër... të gjithë jemi të barabartë. Unë u bëj thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë të drejtën e votimit. Le të votojmë e le të fitojmë. Ne duhet të presim rezultatet në orët e mbrëmjes dhe votimin pas ditës së sotme ta shndërrojmë në festë masive”, ka thënë ndër të tjera ai.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), i cili është kandidati për kryeministër nga kjo parti, Kadri Veseli, pasi ka votuar e ka quajtur ditën e sotme, një ditë të jashtëzakonshme për Kosovën dhe u ka bërë thirrje qytetarëve për të marrë në konsideratë përspektivën perëndimore për Kosovën.

“Sot është një ditë e mirë, e jashtëzakonshme për Kosovën tonë të shenjtë. I uroj  të gjithë qytetarët  e vendit tim t’i japim perspektivë vetvetes, t’i japim perspektivë Kosovës sonë perëndimore, t’i japim perspektivë fëmijëve tonë. Përhajr na qoftë gjithëve. Urime të gjithëve”, ka thënë ai.

Ndërkohë Demokracia në Veprim (DnV) nëpërmjet një deklarate në media ka informuar lidhur me mbarëvajtjen e procesit të votimit gjer më tani.

Sipas saj kanë votuar rreth 6% e qytetarëve dhe janë shënuar një varg parregullsish, megjithatë procesi po zhvillohet i qetë.

“Deri në orën 9:30 kanë votuar 6% e qytetarëve me të drejtë vote. Ndërkohë procesi zgjedhor është duke u zhvilluar i qetë, por nuk kanë munguar as pa rregullsitë gjatë procesit të votimit. Deri në orën 9:30 qytetarët kanë pasur problem në gjetjen e vendvotimit me ç’rast janë shënuar rreth 3695 raste në terren”, ka thënë Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë Ekzekutive e organizatës FOL.

Zgjedhjet e Kosovës janë në vëmendjen ndërkombëtare, gjithashtu. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, përmes një postimi në Twitter, duke e përqasur Kosovën me Amerikën, u ka bërë thirrje votuesve të dalin e të votojnë, pasi çdo votë numërohet e ka vlerë.

 “Në Kosovë si në Amerikë, çdo votë numërohet. Çdo zë ka rëndësi. Cilatdo qofshin pikëpamjet tuaja, këdo që ta mbështesni – më 6 tetor, dilni dhe votoni. Për veten, për vendin tënd, për të ardhmen tuaj”.

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy