Aktivistja Rea Nepravishta deklaroi në emisionin “Arnautistan” në MCN TV se shpesh ministret gra nuk kritikohen për politikat dhe mesazhet, por për faktin që janë gra.
Duke komentuar deputeten e PD Grida Duma, aktivistja tha se nuk ndan të njëjtat ide me të sa i takon politikave, por do ta mbronte nëse do të kishte sulme seksiste.
Këtu ministret gra edhe kur kritikohen, nuk kritikohen për politikat, mesazhet, por gjëja e parë që u shkon ndër mend është t’i sulmojnë për faktin që janë gra, ose që po u nënshtrohen vullnetit të burrave. Kryeministrja finlandeze ka thënë më shikoni si karakter si personalitet, s’ka rëndësi çfarë vesh unë. Kur ndodhin raste përdhunimesh një pjesë e opinionit publik justifikon krime, duke thënë duhet ta ketë pasur fajin ajo, sepse kushedi si do jetë veshur! Duhet të jemi një zë, çfarë të ketë veshur ajo vajzë, ku do që krimi është kryer, është faji i atyre që e kanë kryer.
Grida Duma është e bukur, por pamja e saj më lë indiferente. Nëse do kisha kritikë do e kisha për idetë. Por nëse sulmohet për mënyrën si vishet, si mban flokët, patjetër duhet të mbrohet sepse është seksizëm i pastër. Janë marrë ndonjëherë me ndonjë burrë, për të thënë si është krehur, si është veshur. Idetë e saj s’më pëlqejnë dhe s’është ndonjë personazh simpatik për mua”.



