Armët janë gati dhe mjafton një komandë që sulmi të nisë. Kërcënimet e ditëve të fundit nga ana e Koresë së Veriut dhe përgjigjja amerikane mund të kthehen në luftë në çdo moment.
Dje, “Daily Mail” u bë e para gazetë që vizitoi bazën ushtarake të Guamit, një ishull i vogël në Paqësor, ku ndodhet e gjithë logjistika që mund ta çojë dy vendet nga stadi i kërcënimeve në atë të luftës bërthamore.
Në serinë e fundit të kërcënimeve, diktatori koreanoverior, Kim Jong Un tha se do të lëshojë 4 raketa balistike drejt ishullit. Ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump, u përgjigj se kjo do të pasohet “zjarr dhe tërbim siç bota nuk e ka parë kurrë”. Shtatëmijë ushtarë amerikanë ndodhen në ishull, të gatshëm për betejë.
Ishulli Guam është një bazë ushtarake amerikane, rreth 2 000 milje nga kryeqyteti i Koresë së Veriut, Penian. Atje ndodhet nëj investim ushtarak prej shumë miliarda dollarësh. Superfuqia më e madhe e botës ka vendosur aty nëndetëse sulmuese nukleare me vlerë 1.7 milion paund, bombardues B-1B Lancer të aftë për të bërë hi bunkerët nëntokësorë të raketave, anije luftarake të krijuara enkas për pushtim det-tokë, 7500 tonë municione me materiale eksplozive. I gjithë “koleksioni” i gatshëm për luftë rrethohet nga një peizazh piktoresk me palma dhe ujëra të kristalta.
Baza ushtarake e Guamit është vetëm 15 minuta larg nga qendra turistike Tumon. Kjo e fundit është një zonë piktoreske ku tabelat e para që të shfaqen para syve shkruajnë “Aty ku nis dita e Amerikës”. Kjo për shkak të pozicionit gjeografik, pasi Guami është e para pjesë e tokës amerikane që sheh lindjen e diellit.



