
Komisioni Europian ka publikuar raportin “screening” për Shqipërinë, afro një vit pas çeljes së negociatave për anëtarësim në BE. Në raport vihet në dukje fakti që korrupsioni është mbizotërues në shumicën e fushave të jetës publike dhe biznesit në Shqipëri. Po ashtu theksohet nevoja për të parandaluar korrupsionin te zyrtarët publikë. Lidhur me zgjedhjet në raport thuhet se “ndonëse reforma zgjedhore adresoi me sukses disa çështje, duhen bërë përpjekje të shtuara për të adresuar, akuzat për blerje votash, për keqpërdorim të burimeve administrative si në nivel kombëtar dhe nivelet lokale, si dhe pretendimet për presion mbi votuesit dhe votuesit e sektorit publik”. Po ashtu vihet theksi te nevoja për depolitizim të komisioneve zgjedhore dhe sigurimin e votës së diasporës. Raporti vë në dukje se “rishikimi i kornizës legjislative për financimin e partive politike dhe fushatave zgjedhore ishte një hap drejt transparencës më të madhe dhe mbikëqyrjes më efektive, por mangësi të rëndësishme mbeten, rregulloret dhe kufizimet për donacionet dhe shpenzimet të cilat duhet të shtrihen për palët e treta. Po ashtu thuhet se garuesit duhet t’u kërkohet të bëjnë transparencë mbi të ardhurat dhe shpenzimet e fushatës, dhe kapacitetet e KQZ në këtë drejtim duhen konsoliduar, për më shumë kontroll dhe një auditim më rigoroz. Komisioni Europian vlerëson se Shqipëria është e përgatitur në një nivel të moderuar sa i përket kuadrit të saj strategjik për reformën e administratës publike. Po ashtu thuhet se efikasiteti i sistemit gjyqësor duhet të forcohet ndjeshëm, duke trajtuar veçanërisht kohëzgjatjen e procedurave. Gjithashtu kërkohet një forcim i pavarësisë së magjistratëve dhe të sistemeve gjyqësore dhe të Prokurorisë, konsolidimi i llogaridhënies dhe integritetit në të gjitha nivelet. Raporti evidenton se “korrupsioni është mbizotërues në shumicën e fushave të jetës publike dhe të biznesit, duke përfshirë në të gjitha degët e pushtetit qendror dhe vendor dhe institucionet, çka mbetet një shqetësim serioz”. Vlerësohet se masat anti-korrupsion kanë ndikim të kufizuar, sidomos në sektorë vunerabël, që lidhen me infrastrukturën publike, kadastrën, të drejtën pronësore, doganat, taksat, administratën, arsimin, shëndetësinë, prokurimet publike dhe PPP-të. Ndonëse ka pasur dënime përfundimtare ndaj zyrtarëve të lartë, raporti thekson se ende nuk ka dënime për akte korrupsioni, të klasifikuara si krim i rëndë. “Shqipëria duhet të rrisë koherencën e kuadrit ligjor dhe institucional për parandalimin e korrupsioni dhe integriteti i zyrtarëve publikë, i cili është gjithëpërfshirës, por tepër kompleks, në veçanti si për zyrtarët e lartë”, vijon raporti. “Për sa i përket ndjekjes penale dhe gjykimit, Shqipëria duhet të vazhdojë të ndërtojë një historik ndjekjen penale dhe gjykimin e rasteve të korrupsionit në prokurimet publike”, shtohet më tej. Në raport vihet në dukje edhe një herë qëndrimi kundër amnistisë fiskale dhe pasaportave të arta, ndërsa thuhet po ashtu se është e rëndësishme që pas legalizimit të kanabisit mjekësor dhe industrial, të mos devijohet te tregjet e paligjshme. “Është e rëndësishme të sigurohet që janë vendosur mekanizmat për të parandaluar në mënyrë efektive devijimin e këtij kanabisi tregjet e paligjshme”, thotë raporti.



