
Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, njoftoi rifillimin e procesit mësimor në të gjithë vendin, me përjashtim të 27 shkollave në zonat e përmbytura ose të bllokuara.
Këto shkolla e kanë të pamundur rinisjen e procesit mësimor, për shkak të dëmtimit të ndërtesave dhe vështirësisë që kanë krijuar përmbytjet apo bora në lëvizjen e nxënësve dhe stafit pedagogjik.
Në një deklaratë për mediat, Nikolla tha se edhe për këto shkolla do të merren masat që asnjë orë të mos mbetet pa u zëvendësuar.
Mësimi do të pezullohet për 5 ditë në disa shkolla në Vlorë, Kamëz, Dibër dhe Kukës.
Tri ditë më parë, Ministria e Arsimit njoftoi pezullimin e procesit mësimor për shkak të reshjeve të dendura që përfshinë vendin.



