Në një raportim për edicionin e lajmeve në MCN TV nga Dortmundi i Gjermanisë, ku pritet të startojë sot Europiani i futbollit, gazetari Gerti Çarçani bën me dije se ka një prezencë të madhe shqiptarësh. Ai thekson se nesër pritet të jenë në stadiumin e Dortmundit afro 45 mijë shqiptarë, për të ndjekur nga afër sfidën Itali-Shqipëri.

I pyetur se si paraqitet atmosfera në prag të Euro24, Çarçani thotë:
"Një atmosferë që sa vjen dhe e bën akoma më shqiptare këtë qytet këtu. Jemi 24 orë para një sfide të shumëpritur, dhe këtu ngado ta kthesh kokën, në çdo drejtim, dëgjon shqip. Imagjinoni nesër kur të zbarkojë një shqiptari e tërë, do na duket vetja si në sheshet e Tiranës apo edhe në ‘Air Albania’. Vazhdojnë të zbarkojnë shqiptarë nga të gjitha destinacionet e mundshme. Nesër zbarkon një tjetër charter”.
I pyetur si paraqitet gjendja e skuadrës sonë në prag të sfidës me Italinë, ai shprehet:
"Gjendja është e mirë. Situata është normale, s’kemi të dëmtuar. Nga ato çfarë kam mundur të kontaktoj me kolegë italianë këtu në Dortmund, jo se janë trembur prezencës shqiptare, por e kanë një habi. Nga të gjitha indiciet pritet që prezenca shqiptare të arrijë në nivele maksimale, jo vetëm në ndeshjen Itali-Shqipëri, por në të gjitha takimet. Me të gjitha gjasat mbi 45 mijë shqiptarë pritet të jenë nesër këtu në Dortmund”.



