Kompania amerikane OpenAI, krijuesja e chatbot-it të njohur ChatGPT, ka prezantuar zyrtarisht modelin më të fundit të Inteligjencës Artificiale, GPT-5, duke deklaruar se ky version ofron aftësi në nivel doktorature në fusha si kodimi, analiza shkencore dhe të shkruarit profesional, njofton BBC news.
I cilësuar si “më i zgjuar, më i shpejtë dhe më i dobishëm”, GPT-5 përfaqëson një hap të madh përpara në zhvillimin e inteligjencës artificiale. Bashkëthemeluesi dhe drejtori ekzekutiv i OpenAI, Sam Altman, e vlerësoi modelin si pikënisjen e një epoke të re për ChatGPT.
“Mendoj se të kesh diçka si GPT-5 do të ishte e paimagjinueshme në ndonjë periudhë tjetër të historisë njerëzore,” u shpreh Altman gjatë prezantimit të modelit.
Lançimi i GPT-5 vjen në një kohë kur garat mes kompanive të mëdha të teknologjisë për zhvillimin e chatbot-eve më të avancuar po intensifikohen. OpenAI synon të ruajë avantazhin në këtë fushë, duke e forcuar ChatGPT si një nga platformat më të besueshme dhe inteligjente në botë.
Sipas OpenAI, GPT-5 ka kapacitete për të krijuar softuer nga zeroja, për të dhënë përgjigje më të sakta dhe për të përdorur arsyetim logjik dhe induktiv në nivel doktorature në fusha si programimi dhe shkrimi.
Modeli është trajnuar për të qenë më i ndershëm, më i saktë, dhe për t’i ofruar përdoruesve një përvojë më njerëzore në ndërveprim.
Altman bëri një krahasim të thjeshtë.
“GPT-3 ishte si të flisje me një nxënës gjimnazi. GPT-4 ishte si një student universitar. GPT-5 është hera e parë që duket sikur po flet me një ekspert të vërtetë në çdo fushë.”
GPT-5 është tashmë aktiv për përdoruesit dhe pritet që në ditët në vijim të verifikohet nëse është vërtet aq revolucionar sa pretendohet.
Lançimi i GPT-5 vjen pas prezantimit nga OpenAI të serisë gpt-oss me kod të hapur në fillim të kësaj jave. Është modeli i parë ku kompania ka publikuar edhe kodin burimor që nga GPT-2 i vitit 2019, kështu që mund të përshtatet nga përdoruesit për të përmbushur nevojat e tyre specifike.



