
Një person ka mbetur i plagosur me thikë ditën e sotme, pas një konflikti të momentit.
Mësohet se i plagosur ka mbetur këngëtari shkodran Ademir Fresku, i cili ka një lokal pranë teatrit "Migjeni" vend ku dhe ka ndodhur ngjarja.
Bëhet me dije se tregtari i dyshuar Gjergj Dardha kishte shkuar disa herë i dehur në lokalin që këngëtari Ademir Fresku ka në pronësi gjatë mëngjesit të sotëm dhe ky i fundit i ka thënë që nuk do i shërbehet më duke e paralajmëruar që të mos shkoj tek lokali i tij.
Tregtari menjëherë ka nxjerre thikën duke e goditur disa herë 30 vjeçarin i cili fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.
Policia njoftoi zyrtarisht se rreth orës 11:00, te sheshi “Demokracia”, dyshohet se Gjergj Dardha, 50 vjeç, ka dëmtuar me mjet thikë, Ademir Freskun, 30 vjeç, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e policisë arrestuan pak pas ngjarjes të dyshuarin Gjergj Dardha, ndërkohë grupi hetimor, po punon për zbardhjen e rrethanave të plagosjes.



